Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rikthyer në vëmendje një nga rastet më të rënda dhe më të debatueshme të viteve të fundit në Kosovë, duke thënë se edhe një dekadë pas vdekjes së Astrit Deharit në paraburgimin e Prizrenit, askush nuk është vënë para drejtësisë.
Në akademinë përkujtimore kushtuar Astrit Deharit, Kurti deklaroi se dhjetë vjet pas ngjarjes ende nuk dihet identiteti i personit përgjegjës për vdekjen e tij, ndërsa gjatë gjithë kësaj periudhe nuk është ngritur aktakuzë ndaj askujt për këtë rast.
“Edhe dhjetë vjet më vonë, ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit”, deklaroi Kurti, duke kritikuar mënyrën se si janë zhvilluar hetimet dhe duke përmendur ndërrimin e pesë prokurorëve që janë marrë me rastin.
Kreu i Qeverisë së Kosovës kritikoi gjithashtu institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për konstatimet e dhëna në orët e para pas vdekjes së Deharit, duke vlerësuar se ato kanë paraprirë përfundimin e hetimeve.
Astrit Dehari, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq më 5 nëntor 2016, në moshën 26-vjeçare, derisa mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai ishte arrestuar nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Vdekja e tij shkaktoi reagime të shumta publike dhe kërkesa të vazhdueshme për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ekspertiza fillestare vendore e kishte cilësuar vdekjen si pasojë të asfiksisë së shkaktuar nga vetë Dehari, ndërsa ekspertiza e mëvonshme e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ngriti pikëpyetje mbi përfundimet fillestare, duke mos përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një personi tjetër.
Ndërkohë, në vitin 2019, hetimet për rastin kaluan nga Prokuroria Themelore në Prizren te Prokuroria Speciale e Kosovës.
Në akademinë përkujtimore, Egzon Haliti, mik i Astrit Deharit, kujtoi përkushtimin e tij ndaj njerëzve në nevojë dhe angazhimin për demokratizimin e shoqërisë.
Edhe bashkaktivistja e tij, Rina Zhitia, foli për guximin dhe solidaritetin e Deharit, duke theksuar se kërkesa për drejtësi nuk do të ndalet.
Familja Dehari ndër vite ka kërkuar zbardhjen e plotë të rastit dhe vendosjen e përgjegjësisë për vdekjen e Astritit.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, sonte do të ndizen qirinj pranë muralit “Astrit Dehari”, ndërsa do të mbahet edhe nata përkujtimore me temën “Astriti në kujtimet e shokëve dhe shoqeve”.
Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, rasti i Astrit Deharit vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme për drejtësinë dhe institucionet e Kosovës. Kërkesa për të vërtetën dhe përgjegjësi mbetet e hapur.
FAKTI DITOR



