VLEN: Politikat ekonomike po japin rezultate konkrete në Zhelinë

Zhelinë, 25 prill, Zhurnal.mk – Koalicioni VLEN vlerëson se politikat ekonomike të qeverisë po prodhojnë rezultate konkrete në terren, duke veçuar Komunën e Zhelinës si shembull të mbështetjes për zhvillimin lokal.

Sipas VLEN-it, vizita e ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në Zhelinë dhe takimi me kryetarin e komunës, Blerim Sejdiu, konfirmojnë qasjen aktive të institucioneve për përmirësimin e kushteve ekonomike në nivel lokal.

Në fokus të diskutimeve, siç theksohet në njoftimin, kanë qenë projektet infrastrukturore, përkrahja për bizneset dhe masat për mbështetjen e qytetarëve, të cilat konsiderohen hapa konkretë drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Nga VLEN nënvizojnë se vizitat në bizneset e suksesshme në Zhelinë dëshmojnë se politikat ekonomike po japin rezultate reale, ndërsa përmes Ligjit për mbështetje të investimeve dhe instrumenteve të tjera institucionale po krijohen mundësi të reja për zgjerimin e kapaciteteve, rritjen e konkurrueshmërisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

VLEN veçon edhe efektet e Planit Operativ 2025, për të cilin thotë se ka mundësuar vetëpunësimin e mijëra qytetarëve. Sipas tyre, vetëm në Zhelinë janë ndarë rreth 20 grante për qytetarë dhe biznese, duke përfshirë masa si vetëpunësimi dhe subvencionimi i pagave.

VLEN rikujton se me buxhetin e planifikuar prej rreth 40 milionë eurosh për Planin Operativ për Punësim 2026, pritet zgjerim i mëtejshëm i mundësive për punësim dhe zhvillim ekonomik, duke e cilësuar këtë si hap drejt forcimit të mirëqenies sociale dhe stabilitetit ekonomik.

“Politikat nuk mbeten deklarative, por përkthehen në përfitime konkrete për qytetarët”, thekson VLEN, duke shtuar se mbështetja për zhvillimin ekonomik dhe bizneset duhet të vazhdojë me të njëjtin intensitet.

By admin2