Studentët në fokus: OEMVP ofron mundësi konkrete për karrierë dhe zhvillim profesional

Organizata e Punëdhënësve të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) mirëpriti studentët e Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë nga Universiteti i Evropës Juglindore, në një takim që solli më afër botën akademike me atë të biznesit.

U.d. Kryetari i OEMVP-së, Nuhi Aliu, së bashku me Drejtorin Ekzekutiv Durim Zeqiri dhe menaxheren operative Miranda Ajdini, prezantuan aktivitetet dhe rolin e organizatës para studentëve, të cilët ishin të shoqëruar nga përfaqësues të Parlamentit Studentor dhe asociacioneve përkatëse.

Gjatë diskutimeve, vëmendje e veçantë iu kushtua sfidave me të cilat përballen kompanitë në vend, sidomos mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar. Në këtë drejtim, u theksua rëndësia e përfshirjes aktive të të rinjve në zhvillimin ekonomik.

Nuhi Aliu nënvizoi se OEMVP mbetet e hapur për gjeneratat e reja, duke ofruar mundësi për punësim dhe zhvillim profesional në kompanitë anëtare, si dhe realizimin e praktikave profesionale.

Nga ana tjetër, Drejtori Ekzekutiv Durim Zeqiri theksoi mundësitë që ofrohen përmes granteve dhe thirrjeve të ndryshme, si nga institucionet qeveritare ashtu edhe nga donatorë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian. Sipas tij, këto mundësi janë thelbësore për zhvillimin e start-up-eve dhe bizneseve të reja, duke u mundësuar atyre qasje të drejtpërdrejtë në rrjetin e kompanive ekzistuese.

Studentët shfrytëzuan rastin për të parashtruar pyetje dhe për të diskutuar mbi perspektivat e tyre profesionale, ndërsa takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe sektorit privat.

OEMVP ritheksoi përkushtimin e saj për të mbështetur të rinjtë dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve arsimore dhe komunitetit të biznesit, me synim zhvillimin ekonomik dhe përgatitjen e kuadrove të reja profesionale.

By admin