Shi dhe erëra të forta do godasin Maqedoninë – erë mbi 80 km/orë, temperaturat mbeten të larta

Mot i ndryshueshëm me vranësira me reshje të herëpashershme dhe erëra të forta do të mbizotërojë sot në të gjithë Maqedoninë. Në pjesët perëndimore të vendit priten reshje më të dendura, me sasi që tejkalojnë 15 litra për metër katror.

Do të fryjë erë jugperëndimore mesatare deri e fortë, e cila në vende të caktuara në rajonet perëndimore do të arrijë shpejtësi mbi 80 kilometra në orë, raporton Faktiditor.info

Në Shkup, moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme me periudha të herëpashershme me diell. Drejt fundit të ditës, ka kushte për shi të lehtë, dhe do të fryjë erë e dobët deri mesatare, herë pas here e fortë jugore.

Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me shira të herëpashershëm lokalë me intensitet të ndryshëm.

Pavarësisht vranësirave dhe reshjeve, nën ndikimin e rrymës ajrore jugore, temperaturat relativisht të larta do të mbeten deri në fund të javës, mbi mesataren për këtë periudhë të vitit.

Erërat e forta të paralajmëruara do të jenë veçanërisht të theksuara në pjesët perëndimore të vendit, ku priten herë pas here shpërthime mbi 80 kilometra në orë.