Dhoma e Avokatisë së Shtetit të Kalifornisë ka nisur një hetim ndaj ish-zëdhënëses për media të Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, pas pretendimeve se ajo është prezantuar vazhdimisht si avokate, ndonëse nuk ka kaluar asnjë provim për ushtrimin e profesionit.
Sipas mediave amerikane, hetimi vjen pas një ankese të paraqitur muajin e kaluar nga organizata jofitimprurëse “Campaign for Accountability”, e cila pretendon se Zacharia ka përdorur në mënyrë të paligjshme titullin dhe kredencialet e avokates gjatë paraqitjeve të saj publike.
Në ankesë thuhet se Zacharia, e diplomuar në drejtësi në Universitetin “Pepperdine” në vitin 2011, nuk ka kaluar provimin e avokatisë as në Kaliforni dhe as në ndonjë shtet tjetër të SHBA-së.
Organizata pretendon se ajo është prezantuar si avokate gjatë paraqitjeve në emisione televizive dhe podkaste, përfshirë CNN dhe Fox News. Gjithashtu, pretendohet se ka deklaruar se ka punuar si këshilltare e jashtme për Bankën Botërore dhe Korporatën Financiare Ndërkombëtare.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës, Michelle Kuppersmith, deklaroi se paraqitja si avokat pa licencë aktive përbën shkelje ligjore.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Zacharias i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si të pabaza dhe të motivuara politikisht. Ai shprehu bindjen se hetimi do të përfundojë pa u konstatuar ndonjë shkelje.
Sipas legjislacionit të Kalifornisë, ushtrimi i ligjit ose paraqitja e rreme si person i autorizuar për të ushtruar këtë profesion, pa licencë aktive, mund të përbëjë kundërvajtje penale, e dënueshme deri në një vit burg dhe me gjobë deri në 1.000 dollarë.


