Alarm ajror në Poloni, Tusk: Nuk ka kërcënim nga qielli. Zbardhen detajet e incidentit

Kryeministri polak, Donald Tusk, ka reaguar pas alarmit të ngritur në vend për një shkelje të dyshuar të hapësirës ajrore në zonën e qarkut Bilgoraj, pranë kufirit me Ukrainën.

Pavarësisht shqetësimit të shkaktuar nga incidenti, kreu i qeverisë polake ka deklaruar se aktualisht nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë nga ajri, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.

Tusk bëri të ditur se është informuar për situatën nga ministri i Mbrojtjes, Uladyslaë Kosiniak-Kamysz, dhe ministri i Brendshëm, Marcin Kieruinski. Raportimi lidhet me një objekt të dyshuar që ka hyrë në hapësirën ajrore polake, por deri më tani nuk janë bërë publike të dhëna konkrete mbi natyrën e tij, origjinën apo rrethanat në të cilat është konstatuar.

“Për momentin nuk ka asnjë kërcënim që vjen nga qielli. Janë duke vepruar autoritetet kompetente”, deklaroi kryeministri polak, duke theksuar se strukturat përgjegjëse janë angazhuar për të sqaruar incidentin dhe për të vlerësuar situatën e sigurisë.

Ndërkohë, institucionet polake vijojnë monitorimin dhe kontrollet në zonën ku është raportuar shkelja e hapësirës ajrore. Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e Polonisë, veçanërisht për shkak të afërsisë me Ukrainën dhe sulmeve të vazhdueshme ruse në rajon.