Europa ka gjithnjë e më pak ndikim në politikën ndërkombëtare dhe vendimet kryesore për sigurinë e kontinentit merren nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kështu vlerëson Timofej Bordachev, një nga ekspertët më të njohur rusë për çështjet europiane, në një intervistë për median italiane.
Bordachev, drejtor programi në klubin Valdai dhe drejtues shkencor në Qendrën për Studime Europiane dhe Ndërkombëtare të Shkollës së Lartë Ekonomike në Moskë, argumenton se Europa, megjithëse ndodhet në qendër të zhvillimeve gjeopolitike, nuk është më një qendër vendimmarrjeje.
Sipas tij, kontinenti europian mbetet i rëndësishëm për shkak të tregut me rreth 500 milionë banorë dhe industrisë së tij, por fuqitë e mëdha po konkurrojnë për të ushtruar ndikim mbi të.
Ai pretendon se një pjesë e konsiderueshme e industrisë gjermane është tashmë nën kontrollin amerikan.
Eksperti rus thekson se vendet europiane ia kanë deleguar mbrojtjen NATO-s dhe, në praktikë, SHBA-ve.
Sipas tij, edhe në rastin e një marrëveshjeje për Ukrainën, vendimet kryesore për Perëndimin do të përcaktohen nga Uashingtoni, ndërsa vendet europiane do të jenë pjesë e procesit të nënshkrimit.
Bordachev shprehet gjithashtu se Moska i sheh drejtuesit europianë si të prirur për politika që mund të përshkallëzojnë konfliktin me Rusinë, edhe kur një përballje e tillë nuk është në interesin e vetë SHBA-ve.
Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve Rusi-Europë, ai nuk përjashton mundësinë e një afrimi të ri mes palëve, madje edhe pas një konflikti të rëndë.
Sipas tij, Europa nuk përfaqëson më të njëjtin interes material për Rusinë, si në të kaluarën, kur Moska kërkonte prej saj teknologji dhe ekspertizë.
Në fund, Bordachev argumenton se ndryshimet politike në Europë nuk do të sjellin domosdoshmërisht një ndryshim rrënjësor të politikës së jashtme, pasi varësia nga SHBA-të dhe NATO-ja do të vazhdojë të përcaktojë orientimin strategjik të kontinentit.
Duhet theksuar se këto janë vlerësimet dhe qëndrimet e ekspertit rus, i cili që prej dhjetorit 2024 është nën sanksionet e Bashkimit Europian për pretendime lidhur me përfshirjen në aktivitete destabilizuese të Rusisë jashtë vendit.



