Policia e Lezhës ka reaguar zyrtarisht lidhur me ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur ditën e sotme në dalje të fshatit Balldren. Si pasojë e një atentati humbën jetën burrë e grua, shtetasi Kreshnik Mujeci 39 vjeç dhe bashkëshortja e tij, shtetasja G.Mujeci, 32 vjeç.
Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50 në dalje të fshatit Balldren, Lezhë, në rrugën Balldren-Torrovicë.
“Në rrethana ende të paqarta gjatë lëvizjes, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit Audi, me drejtues shtetasin Kreshnik Mujeci, 39 vjeç, që udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij, shtetasen G. Mujeci, 32 vjeçe, të cilët kanë humbur jetën në vendngjarje”, thuhet në njoftim.
Shërbimet e policisë pas njoftimit të marrë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kush është Kreshnik Mujeci
39-vjeçari Kreshnik Mujeci është një emër i njohur për policinë.
Në vitin 2017, ai ishte arrestuar së bashku me vëllain e tij, Lin Mujeci, pasi dyshoheshin si autorë të vrasjes së shtetasit Genc Mhillaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2016.
Aktualisht, grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë./vizionplus.tv

