Universiteti Nënë Tereza organizon “Javën e Certifikimeve Falas” për maturantë dhe studentë

Universiteti Nënë Tereza ka njoftuar organizimin e “Javës së Certifikimeve Falas”, një iniciativë edukative që synon t’u ofrojë maturantëve, studentëve dhe qytetarëve të interesuar mundësinë për të fituar njohuri të reja dhe certifikata profesionale pa pagesë.

Aktiviteti do të mbahet nga 18 deri më 21 maj, çdo ditë duke filluar nga ora 15:00, në laboratorët dhe sallat e universitetit në Shkup. Gjatë kësaj jave, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin trajnime intensive në fusha të ndryshme, të udhëhequra nga stafi akademik i UNT-së.

Reklame

Nga universiteti bëjnë të ditur se pas përfundimit të moduleve, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikata përkatëse, ndërsa fokusi kryesor do të jetë përgatitja praktike dhe zhvillimi i aftësive të nevojshme për tregun e punës.

Një nga modulet që pritet të zgjojë interes të madh është ai i Fakultetit të Shkencave Informatike, me temë “Krijimi dhe Administrimi i Web Faqeve”, i cili do të zhvillohet për katër ditë në laboratorin 208.

Nga UNT theksojnë se kjo javë paraqet një mundësi të mirë sidomos për maturantët që të njihen më afër me jetën studentore dhe njëkohësisht të pasurojnë CV-në e tyre me përvoja dhe certifikime konkrete.

Në fund të aktivitetit do të organizohet edhe ceremonia festive e ndarjes së certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit.

By admin3