PSD aksion para LDK-së, Paris Guri përplaset me Molliqajn: Shkoni te zyrat e pushtetit

Partia Socialdemokrate (PSD) ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), për mungesë të qëndrimit të qartë politik pas zgjedhjeve, derisa një aksion i kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj, para zyrave të LDK-së, është shoqëruar me tensione dhe përplasje verbale me ish-deputetin e LDK-së, Paris Guri.

Guri kërkoi nga PSD që aksione të tilla t’i zhvillojë para zyrave të partisë në pushtet dhe e akuzoi PSD-në se aksionet ndaj partive opozitare po i bën me direktivë të Vetëvendosjes.

Reklame

Pas tensioneve, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se sikleti i partive opozitare, e në veçanti i LDK-së është i papërmbajtshëm.

“Sikleti i partive opozitare, në veçanti i LDK-së, është i papërmbajtshëm. Njerëz që blejnë vota në diasporë, njerëz që blejnë like, njerëz që i shkojnë Albin Kurtit, njerëz që i shkojnë Albin Kurtit në secilin takim me fol”, tha ai.

Molliqaj tha se PSD po kërkon përgjigje të qartë nga LDK për pozicionin pas zgjedhjeve.

“Kurrgjë më shumë Partia Socialdemokrate s’ka thënë sesa me na u përgjigj në pyetjen jetike: Çka kanë me bë Lidhja Demokratike pas zgjedhjeve? A janë për qeveri me Kurtin, a janë për qeveri pa Kurtin, a janë për president me Kurtin, a janë për president pa Kurtin? Mashtrimi opozitar nuk guxon me shku tutje. Lypi votat për pushtet antiKurt e shko negocio me Kurtin. Këta janë ata të cilët, të cilët mendojnë që popullin duhet me manipulu, që popullin mund ta rrejnë. Këta mendojnë që populli nuk e kupton të vërtetën. Për këtë arsye, në vazhdimësi i ka kuptuar populli. Sikletin që e patë sot të Parisi është sikleti i Lumirit e i Vjosës, sepse është kuptuar totalisht që kjo ka qenë një skemë e mashtrimit”, tha ai.

By admin7