Rasti “Mihajlova”, test i ri për raportet Shkup–Sofje

Rasti i Iva Mihajlovës, e cila është larguar nga Maqedonia e Veriut drejt Bullgarisë, pavarësisht masave gjyqësore të vendosura ndaj saj, ka hapur një tjetër çështje në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes. Mihajlova përballet me akuza lidhur me një aksident trafiku me pasoja vdekjeprurëse, ndërsa ndaj saj ishte shqiptuar edhe masa e konfiskimit të pasaportës.

Ndërsa autoritetet maqedonase paralajmërojnë se do të informojnë Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për veprimet e institucioneve bullgare, përfaqësues të palës bullgare vlerësojnë se nuk ka bazë për ankesa ndaj Sofjes.

Ndërkohë, mbeten të paqarta rrethanat e largimit të Mihajlovës nga vendi, përfshirë mënyrën e kalimit të kufirit dhe nëse ka pasur lëshime eventuale nga institucionet kompetente.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme thirri sot ambasadorin e Bullgarisë në Shkup, Zheljazko Radukov, për të diskutuar zhvillimet lidhur me rastin dhe pritjen e Mihajlovës në Sofje.

Sipas njoftimit të Ministrisë, ambasadorit iu përcoll qëndrimi se mënyra e pritjes së Mihajlovës në Bullgari, përfshirë paralajmërimet për takime në nivel të lartë, konsiderohet provokim që dëmton përpjekjet për ndërtimin e besimit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Nga ana tjetër, eurodeputeti bullgar i GERB-it, Andrej Kovaçev, ka deklaruar se Shkupi nuk ka bazë për të paraqitur ankesa pranë institucioneve evropiane lidhur me këtë rast.

Në një paraqitje për Televizionin Kombëtar Bullgar (BNT), Kovaçev tha se për situatën kishte informuar personalisht presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë një takimi të Partisë Popullore Evropiane.

Sipas tij, rasti duhet të trajtohet para së gjithash si çështje humanitare, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të Mihajlovës dhe nevojën për kujdes mjekësor.

Përtej përplasjeve diplomatike, rasti vazhdon të ngrejë pikëpyetje për mënyrën e largimit të Mihajlovës nga Maqedonia e Veriut dhe përgjegjësinë eventuale të institucioneve kompetente, ndërsa mbetet për t’u parë nëse zhvillimet e fundit do të ndikojnë më tej në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes.Rasti i Iva Mihajlovës, e cila është larguar nga Maqedonia e Veriut drejt Bullgarisë, pavarësisht masave gjyqësore të vendosura ndaj saj, ka hapur një tjetër çështje në marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes. Mihajlova përballet me akuza lidhur me një aksident trafiku me pasoja vdekjeprurëse, ndërsa ndaj saj ishte shqiptuar edhe masa e konfiskimit të pasaportës.