Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal ndaj A.Љ., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar”.
Sipas njoftimit të MPB-së, i kallëzuari ishte i punësuar si udhëheqës i ndërrimit në Stacionin Policor për Pikën Kufitare Jazhincë, në kuadër të Qendrës Rajonale për Çështje Kufitare – Veri, përcjell Pa Censurë.
Më 27 qershor 2026, ai kishte vendosur të mos shqiptonte gjobën e paraparë prej 100 eurosh në kundërvlerë me denarë ndaj një shoferi, si dhe të mos e largonte automjetin nga komunikacioni. Në këtë mënyrë, shoferit i ishte mundësuar të vazhdonte të qarkullonte me automjetin, të cilit i kishte skaduar leja e qarkullimit prej 30 ditësh.
Shkelja e Ligjit për automjetet ishte konstatuar paraprakisht nga një zyrtar tjetër policor.
Departamenti për Kontroll të Brendshëm do të paraqesë gjithashtu propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj zyrtarit dhe për largimin e tij të përkohshëm nga vendi i punës, përkatësisht pezullimin, deri në përfundimin e procedurës disiplinore, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme.



