A mund të thuhet a të shkruhet diçka e mençur për zgjedhjet e reja, të cilat do të mbahen të dielën e parë të muajit qershor?

Do të ishte interesant nëse politikanët kryesorë të vendit, do të detyroheshin (me të mirë, natyrisht, se ndryshe këta nuk kanë si të obligohen për çkadoqoftë, siç e dimë të gjithë), ta bëjnë një shkrim fare të shkurtër i cili do t’i qasej kësaj pyetjeje kryefjalë të këtij shkrimi.

Reklame

Në të vërtetë, sekush prej nesh që do ta kishte këtë mundësi që t’i rendisë rreshtat teposhtë një faqe të bardhë, thënë fare troç, do të zihej ngushtë. Sado që do të mendohej, ky pretenduesi imagjinar, për të gjetur diç racionale në gjithë këtë pështjellimin politik që po rrezikon të na i bëjë lëmsh jetët tona dhe këtë vend që tash e 18 vjet e quajmë shtet, do ta ketë të pamundur që të shkruajë diçka që do t’i jep një kuptim këtij rrëfimi të përçudnuar që vetëm sa konfirmon sa e thellë është çorodia politike e cila na ka kapluar/ pllakosur, të gjithë neve.

Kjo zaten do të merret vesh veçmas në ditët vijuese kur do të merr hov fushata parazgjedhore, duke na i shfaqur thuaja të njëjtat premtime të cilat i kemi dëgjuar që nga janari i vitit të kaluar, deri më sot. Natyrisht, të gjithë ne duam një jetë më të mirë për vete dhe për familjet tona. Të gjithë ne kemi dëshirë që Kosova të prosperojë në të gjitha drejtimet e mundshme, veçmas në atë ekonomik. Që Kosova sa më parë të bëhet shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike. Që Kosova ta merr statusin e shtetit kandidat/ aspirant, për të hyrë në Bashkimin Evropian, etj. etj.

Në dëshira, së paku, jemi një. Këtu nuk kemi pushtet dhe opozitë. Dëshirat janë të përbashkëta. Por, gjithsesi, ndahemi kur e pyesim veten se cili politikan dhe parti politike, do të mund njëmend t’i përmbushë premtimet e veta, të cilat siç është edhe e kuptueshme, eskalojnë sa më shumë që i afrohemi ditës së zgjedhjeve.

Megjithatë, duket se kësaj here është një tjetër dëshirë që na bënë të gjithëve tok (duhet besuar që është kështu), dhe e cila nuk po gjen vend dot në atë listën e premtimeve kryesore të cilat do të shpalosen (si e kemi zakon të themi), nga liderët dhe partitë politike. Mund të ndodhë që kjo do të na kumtohet ditëve në vijim, edhe pse mund të thuhet që kjo është e barabartë me një mrekulli. Kjo dëshirë e madhe dhe ky premtim i munguar do të dukej kështu pra: Të gjithë politikanët kryesorë të Kosovës, do të zotoheshin solemnisht që votimet e 7 qershorit do të jenë të fundit në këtë tre-hapshin zgjedhor që nisi në dimrin e vitit 2025, dhe po merr fund në pranverën e këtij viti.

Ata pra do të na thoshin krejtësisht hapur që zgjedhje nuk do të ketë për vite me radhë, ndoshta madje deri në atë afatin e rregullt që njeh katër vjetshin olimpik dhe kushtetues.

Në këtë rast imagjinar (gjithsesi), do të mund të sigurohej një dalje solide zgjedhore, ndoshta edhe më e madhe për vite, sepse qytetarët do ta dinin që nuk do të kenë nevojë që dy herë në vjet t’i vizitojnë qendrat e votimit.

Pastaj, do të ndodhte fillimi i procesit të mëkëmbjes së kredibilitetit të skenës politike të vendit, e cila ka pësuar një devalvim të matshëm që nga pranvera e vitit të kaluar e
këndej. Më në fund, të gjithë ne do ta dinim qysh tash që pas zgjedhjeve të 7 qershorit, do të nisin bisedimet e mirëfillta në mes të liderëve dhe partive kosovare për ta bërë vendin me pushtet qendror, i cili, me gjasë, do të ndërtohej mbi gatishmërinë për ujdi në sprovat kryesore politike, veçmas të asaj të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

Kjo është në realitet, gjëja më e mençur që do të mund ta thënë dhe ta garantojnë politikanët e Kosovës në këto ditët e fundit para zgjedhjeve. Ëndërr e bukur. Apo jo.

Më të lexuarat
Të fundit

By admin