Pse po shohim rekorde temperaturash gjithnjë e më ekstreme?

Është pothuajse e pamundur të gjesh një vend në Evropën Perëndimore që aktualisht nuk po përballet me valën e fortë të të nxehtit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, temperaturat të martën kaluan 35 gradë Celsius, duke thyer me më shumë se 2 gradë rekordin e deritanishëm për muajin maj. Sipas Met Office britanik, temperatura të tilla do të konsideroheshin ekstreme edhe në kulmin e verës, e jo në fund të pranverës.
Edhe Franca po përjeton një valë të pazakontë të të nxehtit për këtë periudhë të vitit. Shërbimi meteorologjik Meteo-France njoftoi se në shumë pjesë të vendit janë regjistruar qindra rekorde të reja temperaturash.

Reklame

Ndërkohë, Irlanda ka tejkaluar rekordin e saj të majit me më shumë se 1 gradë Celsius. Kushte jashtëzakonisht të nxehta për stinën janë regjistruar gjithashtu edhe në Gjermani, Itali, Spanjë dhe Zvicër, raportoi BBC.

“Është thjesht e pabesueshme”, deklaroi Friederike Otto. Ndërsa Peter Thorne e përshkroi situatën si “plotësisht të çmendur.

Shkaku i drejtpërdrejtë i kësaj vale të të nxehtit është fenomeni i njohur si “kupola termike”, që krijohet kur një zonë me presion të lartë atmosferik mbetet e bllokuar mbi Evropë, duke mbajtur ajrin e nxehtë të përqendruar pranë sipërfaqes. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor – sidomos djegia e qymyrit, naftës dhe gazit – e kanë përforcuar ndjeshëm këtë nxehtësi ekstreme.

Sipas të dhënave të shërbimit klimatik Copernicus Climate Change Service, Evropa gjatë 30 viteve të fundit është ngrohur me një ritëm prej 0.56 gradë Celsius për dekadë, më shumë se dyfish më shpejt se mesatarja globale. Edhe pse kjo mund të duket si një rritje e vogël, në aspektin klimatik përfaqëson një ndryshim të madh, i cili ka bërë që valët ekstreme të të nxehtit të bëhen dukshëm më intensive dhe më të shpeshta.

“Kur ndodh një valë të nxehti, ajo bëhet shumë më intensive sepse zhvillohet mbi një klimë që tashmë është ngrohur”, deklaroi për BBC News Richard Betts.

“Jam klimatolog prej 33 vitesh dhe po shohim pikërisht atë për të cilën kemi paralajmëruar prej dekadash. Madje, këto rekorde po rezultojnë edhe më ekstreme dhe po ndodhin më herët sesa prisnim”, shtoi ai.

Temperaturat ekstreme nuk po prekin vetëm Evropën. Në Delhi të Indisë, temperaturat kanë arritur deri në 45 gradë Celsius, duke e bërë situatën edhe më alarmante në shumë pjesë të botës.

Në një klimë të qëndrueshme, rekordet e reja të temperaturave do të duhej të bëheshin gjithnjë e më të rralla me kalimin e viteve. Sipas logjikës shkencore, është shumë më e lehtë të regjistrohet një rekord i ri pas 10 vitesh matjesh sesa pas një shekulli të tërë të dhënash. Megjithatë, vala e rekordeve që po thyhen vazhdimisht tregon qartë se klima globale po ndryshon me ritme të përshpejtuara.

“Kur dikush thyen rekordin botëror në kërcim së larti, zakonisht pret që ai të përmirësohet me një centimetër, jo menjëherë me 20 apo 30 centimetra. E njëjta logjikë vlen edhe për motin”, shpjegoi për BBC News Erich Fischer.

By admin2