Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar këtë të hënë për humbjen e Aleksandër Vuçiqit në zgjedhjet në Serbi, duke e cilësuar atë si një nga figurat më të errëta të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviqit.
Gjatë konferencës për mediat, Berisha deklaroi se vota e popullit serb nxori nga pushteti një politikan që, sipas tij, ka pasur përgjegjësi në ngjarjet e përgjakshme të rajonit dhe në përpjekjet për destabilizimin e Kosovës.
“Dje, populli serb, me votën e tij nxori nga pushteti njërin nga figurat më të zeza të politikës në Ballkan pas Sllobodan Millosheviqit, njeriun që prej vitesh duhej të ishte në burgun ndërkombëtar të Hagës, Aleksandër Vuçiq”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së e cilësoi Vuçiqin si pasues politik dhe shpirtëror të Vojisllav Sheshelit, ndërsa e akuzoi për lidhje me të kaluarën nacionaliste serbe dhe për përfshirje në zhvillimet që kanë shoqëruar konfliktet në rajon, raporton Euronewsalbania.
Në deklaratën e tij, Berisha u ndal edhe te marrëdhëniet e Vuçiqit me presidentin rus, Vladimir Putin, duke e cilësuar ish-presidentin serb si një figurë të varur nga Moska.
“Aleksandër Vuçiq ishte një kukull e Vladimir Putinit në Ballkan, i cili pas agresionit rus ndaj Ukrainës, e shndërroi Serbinë në prapavijë të fuqishme të Rusisë në rajon”, deklaroi Berisha.
Ai ngriti gjithashtu akuza ndaj kryeministrit Edi Rama për bashkëpunimin me Vuçiqin, duke pretenduar se të dy kanë vepruar kundër interesave të Kosovës.
“Ai, me gangsterin tjetër të Ballkanit, narkodiktatorin e Tiranës, Edi Rama, bëri gjithçka për ndarjen e Kosovës”, u shpreh kreu i opozitës.
Berisha akuzoi gjithashtu dy liderët se kanë mbështetur nisma që, sipas tij, i shërbenin interesave të Kremlinit, duke përmendur në mënyrë të veçantë projektin e Ballkanit të Hapur. Ai pretendoi edhe për bashkëpunim në çështje që lidhen me trafiqet kriminale, drogën dhe zhvillimet në komunat në veri të Kosovës.
Deklaratat e Berishës vijnë në një moment kur zhvillimet politike në Serbi dhe roli i lëvizjes studentore kanë rikthyer në vëmendje ndikimin e protestave dhe votës qytetare në rajon.



