Haxhiu: Vrasja e Arlinda Zekajt alarmuese, po shihet nëse ka pasur dështim të zinxhirit institucional

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se është “alarm institucional” dhe “alarm për shoqërinë” rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt nga kunati në Vitomiricë të Pejës, tre ditë pasi ajo kishte kërkuar mbrojtje institucionale.

Haxhiu tha se po bëhet “vlerësim i gjithë rastit nga fillimi deri në fund” për të parë nëse ka pasur “dështim të zinxhirit institucional”.

“Kam qenë në komunikim me Kryeprokurorin e Shtetit, e po ashtu me ministren e Drejtësisë dhe sipas informacioneve që unë i kam, tashmë është kërkuar që të bëhet vlerësim i gjithë rastit nga fillimi deri në fund dhe të shihet nëse ka pasur dështim të zinxhirit institucional dhe janë dhënë zotimet që nëse do të dëshmohet dhe do të verifikohet që ka pasur dështim nga ana e zyrtarëve përgjegjës, do të ndërmerren veprime”, tha ajo.

Haxhiu tha se është “shumë e rëndësishme” që sot Kuvendi të flasë “me një zë” për këtë rast, për të cilin do të diskutohet në një seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00.