Shoferët duhet të kenë kujdes në autostradat sllovene, janë vendosur radarë të rinj, gjobat deri në 1200 euro

Sistemi i ri i kamerave është vendosur në katër segmente të autostradave dhe llogarit shpejtësinë mesatare të automjeteve, duke mos lejuar shmangien e kontrollit përmes ngadalësimit vetëm pranë radarëve.

Sllovenia ka vendosur një sistem të ri të kontrollit të shpejtësisë në katër segmente të autostradave. Kamerat e reja nuk matin vetëm shpejtësinë në një pikë të caktuar, por llogarisin shpejtësinë mesatare të automjeteve gjatë gjithë distancës së monitoruar, transmeton albinfo.ch.

Sipas medias kroate “Index”, sistemi synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të parandalojë praktikën e shoferëve që ngadalësojnë para radarëve, për të përshpejtuar sërish pasi i kalojnë ata.

Ndryshe nga radarët tradicionalë, kamerat e reja regjistrojnë kohën kur automjeti hyn në segmentin e kontrolluar dhe kohën kur del prej tij. Duke u bazuar në distancën e përshkuar dhe kohën e udhëtimit, sistemi llogarit shpejtësinë mesatare.

Për shembull, nëse një automjet përshkon një segment prej 10 kilometrash për katër minuta, shpejtësia mesatare është 150 kilometra në orë. Në një segment ku kufizimi është 130 km/h, kjo përbën tejkalim të shpejtësisë së lejuar.

Sipas të dhënave të Zyrës Sllovene të Metrologjisë, sistemi është vendosur në këto katër lokacione:

A1, Logatec–Vrhnika, në drejtim të Lubjanës;
A2, Ljubljana Brod–Vodice, në drejtim të Kranjit;
A2, Grosuplje–Ivančna Gorica, në drejtim të Novo Mestos;
A1, Podmilj–Ločica, në drejtim të Mariborit, në zonën e tunelit Trojane.
Gjobat për tejkalim të shpejtësisë në autostradat e Sllovenisë variojnë nga 40 deri në 1.200 euro, në varësi të shkallës së shkeljes.

Sipas të dhënave të publikuara, gjobat për tejkalim të shpejtësisë janë:

Deri në 10 km/h mbi kufirin e lejuar: 40 euro;
Nga 10 deri në 30 km/h: 80 euro;
Nga 30 deri në 40 km/h: 160 euro;
Nga 40 deri në 50 km/h: 250 euro.
Për tejkalime më të mëdha parashihen gjoba më të rënda. Shoferët që tejkalojnë kufirin e lejuar me më shumë se 60 km/h mund të gjobiten me deri në 1.200 euro. Për shkeljet më të rënda parashihen edhe pikë ndëshkuese.