Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi të premten se përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim në nivel teknik në gjysmën e parë të nëntorit, në Abu Dhabi. Ai shprehu shpresën se bisedimet do të pasohet nga një takim mes liderëve të tre vendeve, me synimin për të avancuar drejt një marrëveshjeje paqeje.
Zelensky tha se kishte zhvilluar një bisedë me të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, pas takimit të tyre me presidentin rus Vladimir Putin në fillim të kësaj jave. Sipas tij, çdo marrëveshje paqeje duhet të përfshijë garanci të forta sigurie për Ukrainën, si dhe financim për ushtrinë ukrainase për një periudhë 10-vjeçare.
“Plani është të takohemi në gjysmën e parë të nëntorit dhe, sigurisht, sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Zelensky gjatë një lidhjeje me video me institutin kërkimor amerikan Hudson Institute. Ai theksoi se ecuria e procesit do të varet në një masë të madhe nga Rusia, duke kujtuar se një takim i ngjashëm, i parashikuar për këtë muaj, nuk u zhvillua.
Presidenti ukrainas nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim dhe për t’i dhënë fund luftës, e cila ka hyrë në vitin e pestë. Ai tha gjithashtu se në negociata duhet të përfshihet edhe Evropa.
Zelensky shprehu gatishmërinë e Ukrainës për të nisur bisedimet për një armëpushim të plotë. Nëse Moska nuk është e gatshme të diskutojë një marrëveshje të gjerë, ai tha se Kievi mund të shqyrtojë edhe një marrëveshje të kufizuar, që do të përfshinte vetëm sektorin energjetik ose operacionet detare.
Ai theksoi se çështja e territoreve mbetet veçanërisht e ndjeshme dhe duhet të trajtohet në një takim të drejtpërdrejtë mes liderëve.
“Nëse ata duan të ngrenë ndonjë çështje, ne jemi gati, por territoret janë një çështje e ndjeshme që mund të trajtohet gjatë diskutimeve në nivel liderësh”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas përshëndeti gjithashtu kthimin e 270 ushtarëve që mbaheshin të burgosur në Rusi, por theksoi se nevojiten shkëmbime të tjera. Sipas tij, disa ushtarë ukrainas mbahen në Rusi prej më shumë se 12 vitesh, që nga aneksimi i Krimesë nga Moska.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk kishte dhënë ende një koment zyrtar për planet e takimit trepalësh në nivel teknik.
Përveç negociatave, Zelensky ngriti shqetësime edhe për vështirësitë që ushtria ukrainase po përballet me sistemet e komunikimit satelitor Starlink, të cilat përdoren për komunikimet në fushën e betejës dhe operacionet me dronë.
Ai kundërshtoi deklaratën e presidentit amerikan Donald Trump se shërbimet ishin rikthyer plotësisht, duke thënë se kufizimet e shpejtësisë vazhdojnë të jenë në fuqi.
“Kufizimet e shpejtësisë në Starlink dhe Starshield janë ende aty dhe shpejtësia nuk është rikthyer”, deklaroi Zelensky.
Sipas tij, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e kishte siguruar gjatë një telefonate se shërbimet satelitore do të riktheheshin brenda 48 deri në 72 orësh, por kjo nuk kishte ndodhur. Zelensky tha se situata po e vështirëson aftësinë e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
Ai shpjegoi se kufizimet vazhdojnë të zbatohen edhe në sektorin civil dhe në zonat pranë vijës së frontit, ku shpejtësia është e kufizuar në rreth 161 kilometra në orë, ose 100 milje në orë. Sipas zyrtarëve ukrainas, këto kufizime e bëjnë të vështirë kundërpërgjigjen ndaj dronëve rusë me motor reaktiv, të cilët mund të arrijnë shpejtësi prej rreth 450 kilometrash në orë.
Zelensky tha gjithashtu se Ukraina është ende në pritje të një dërgese raketash interceptuese për sistemet e mbrojtjes ajrore, për të cilën ishte rënë dakord më herët. Mungesa e tyre e vështirëson mbrojtjen e vendit nga sulmet pothuajse të përditshme me dronë dhe raketa ruse.
Në fund, presidenti ukrainas kritikoi vendimet e disa vendeve perëndimore për të lehtësuar një pjesë të sanksioneve ndaj Rusisë, duke argumentuar se kjo i mundëson Moskës të vazhdojë luftën.
“Sanksionet funksionojnë, por duhet të jenë sanksione të plota. Nëse vendosni sanksione, ju lutem, mos i hiqni”, deklaroi Zelensky.



