Policia gjermane ka ndaluar një të dyshuar pas shpërthimit të një zjarri në ndërtesën historike të njohur si “Foleja e Shqiponjës” (Eagle’s Nest), në Bavarinë jugore të Gjermanisë. Objekti, i vendosur në Alpe, është përdorur gjatë regjimit nazist si vend pritjeje për zyrtarët e lartë të regjimit, përfshirë diktatorin Adolf Hitler.
Zjarri ra të premten në ndërtesën e njohur me emrin Kehlsteinhaus, pranë qytetit të Berchtesgadenit. Rreth 200 zjarrfikës dhe pjesëtarë të ekipeve të emergjencës u angazhuan për të vënë flakët nën kontroll.
Sipas policisë, personi i dyshuar u ndalua pranë vendit të ngjarjes. Autoritetet po hetojnë nëse ai ka lidhje me zjarrin, por deri tani nuk kanë dhënë detaje të tjera për identitetin e tij apo rrethanat e ndalimit. Gjithashtu, nuk ka ende informacion për shkakun e zjarrit apo motivin e mundshëm të ngjarjes.
Ndërtesa u ndërtua në vitin 1938 si një shtëpi pritjeje për zyrtarët nazistë dhe mysafirët e tyre. Ajo ndodhet në një zonë malore me pamje panoramike të Alpeve dhe është e ndarë nga rezidenca verore e Hitlerit, e njohur si Berghof, e cila ndodhej në afërsi.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, objekti u njoh si monument historik që lidhet me periudhën naziste. Sot, ndërtesa është pronë e landit të Bavarisë dhe shërben si një pikë turistike, e vizituar për vendndodhjen e saj malore dhe rëndësinë historike. Hetimet për zjarrin vijojnë, ndërsa autoritetet gjermane po përpiqen të përcaktojnë shkaqet e ngjarjes dhe nëse ajo ishte e qëllimshme.



