Një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me armatimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka nxitur reagime dhe polemika në prag të fushatës zgjedhore.
Gjatë një interviste televizive, Kurti tha se Kosova ka arritur të blejë armatime nga një numër i madh vendesh anëtare të NATO-s vetëm pasi ka shënuar përparim në luftën kundër korrupsionit dhe ka rritur besueshmërinë ndërkombëtare.
“Vetëm kur Kosova është ngritur në rejtingun ndërkombëtar për ulje të korrupsionit, ata kanë filluar të na shesin armatim”, deklaroi Kurti, duke theksuar se gjatë mandatit të tij investimet në armatim janë rritur ndjeshëm krahasuar me periudhat e mëparshme.

Megjithatë, deklarata e tij është kundërshtuar nga ish-shef i kabinetit të qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, Avni Arifi. Sipas Arifit, blerja e armatimit nga Kosova u bë e mundur pas transformimit të FSK-së në ushtri në vitin 2018 dhe miratimit të paketës ligjore përkatëse, e cila hapi rrugën për zhvillimin e kapaciteteve ushtarake.
Ai e cilësoi pretendimin e Kurtit si të pavërtetë, duke argumentuar se vendet e NATO-s i kanë hapur rrugën furnizimit me armatim Kosovës pas mbështetjes dhe koordinimit me partnerët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në.
Debati ka rikthyer në vëmendje edhe raportet ndërkombëtare për korrupsionin në Kosovë, ku kritikët e deklaratës së Kurtit theksojnë se dokumente të ndryshme ndërkombëtare kanë vazhduar të evidentojnë probleme me korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Deklarata e kryeministrit dhe reagimet që pasuan pritet të mbeten pjesë e debatit politik gjatë fushatës zgjedhore, me palët që vazhdojnë të përplasen mbi arritjet dhe rezultatet e qeverisjes në fushën e sigurisë dhe luftës kundër korrupsionit.


