Hoti sulmon Kurtin: Ka dëmtuar raportet me SHBA-në dhe ka braktisur Shqipërinë

Shkruan: Avdullah Hoti

Përveç dëmtimit të marrëdhënieve me aleatin kryesor strategjik të Kosovës, Qeveria Kurti ka braktisur edhe integrimin kombëtar me Shqipërinë.

Reklame

Ka tri vjet që nuk mbahet asnjë mbledhje e përbashkët mes dy qeverive, duke bllokuar mekanizmin konkret për adresimin e çështjeve në bashkëpunim mes dy vendeve. Për pasojë, ka ngecur integrimi ekonomik, arsimor, kulturor dhe shëndetësor. Potenciali i madh që ekziston mes Kosovës dhe Shqipërisë po mbetet i pashfrytëzuar për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Në energji, është harruar projekti i përbashkët hidroenergjetik që do të mundësonte një sistem të integruar energjetik, duke kombinuar potencialin hidroenergjetik të Shqipërisë me kapacitetet energjetike të Kosovës.

Në bujqësi, nuk është bërë asnjë hap serioz drejt krijimit të një tregu të përbashkët dhe koordinimit të prodhimit sipas përparësive klimatike dhe ekonomike të secilit vend.

Në turizëm, nuk ka asnjë strategji për të lidhur turizmin bregdetar të Shqipërisë me turizmin malor dhe rural të Kosovës, megjithëse ky do të ishte një nga produktet turistike më tërheqëse në rajon.

Në arsim, lëvizshmëria e studentëve dhe stafit akademik mbetet minimale, ndërsa projektet e përbashkëta shkencore pothuajse nuk ekzistojnë.

Në kulturë, është braktisur plotësisht agjenda e përbashkët kulturore shqiptare, e cila duhej jo vetëm të vazhdonte, por të zgjerohej edhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe Malin e Zi.

Dështimi më i dukshëm mbetet infrastruktura strategjike. Për pesë vite me radhë, Qeveria Kurti ka folur për hekurudhën Prishtinë-Durrës si një projekt madhor kombëtar. Pas pesë vitesh qeverisje, nuk ka asgjë konkrete. Nuk është vendosur asnjë metër binar. Projekti vazhdon të mbetet vetëm në deklarata dhe prezantime. Ironia është se ndërsa dje në Vushtrri Kurti promovonte projekte të reja hekurudhore brenda Kosovës, hekurudha më e rëndësishme për lidhjen e Kosovës me Shqipërinë vazhdon të ekzistojë vetëm në fjalime.

Në vend të bashkëpunimit, Kurti ka zgjedhur të përfshihet në procese zgjedhore jashtë Kosovës. Në Maqedoninë e Veriut kjo qasje kontribuoi në përçarjen e faktorit politik shqiptar, ndërsa në Shqipëri u përfshi në garën e brendshme politike. Kjo nuk i shërben unitetit kombëtar, por thellon ndarjet mes shqiptarëve.

Qeveria e ardhshme duhet t’i rikthehet urgjentisht bashkërendimit të politikave dhe projekteve me Shqipërinë. Duhet të rikthehen mbledhjet e përbashkëta të qeverive, të intensifikohet bashkëpunimi në të gjitha fushat dhe të avancohet themelimi i Asamblesë Parlamentare Mbarëshqiptare, si forum i përhershëm për trajtimin e çështjeve strategjike kombëtare.

Integrimi kombëtar nuk ndërtohet me slogane patriotike, konferenca për shtyp dhe postime në rrjete sociale. Ai ndërtohet me projekte konkrete, me institucione funksionale dhe me rezultate të matshme. Pikërisht këto kanë munguar gjatë këtyre pesë viteve.

By admin