Dorëhiqet Arben Fetai – “Nuk ka kushte për të ushtruar detyrën”

Jep dorëheqjen zv.kryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai. Dorëheqja e tij vjen disa muaj pas mosmarrëveshjeve me krerët e VLEN-it rreth mënyrës së shkrirjes së koalicionit në parti. Në dokumentin e dorëheqjes Fetai shpreh mirënjohje të thellë ndaj kryeministrit Mickoski për mundësinë e dhënë që të kontribuojë në siç thotë, agjendën e Qeverisë në një moment të rëndësishëm për vendin. Fetai veçon angazhimin për projektligjin e përfaqësim të drejtë dhe adekuat.

“Jam veçanërisht krenar që, përmes angazhimit tonë të përbashkët dhe bashkëpunimit konstruktiv, tashmë kemi dorëzuar në procedurë parlamentare projektligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Shpresoj sinqerisht që Kuvendi ta miratojë së shpejti këtë legjislacion tejet të rëndësishëm, i cili për herë të parë synon të rregullojë në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme një nga parimet themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.” – Arben Fetai, Zv.kryeministër për Qeverisë të Mirë në dorëheqje.

Reklame

Fetai shton se në rrethanat aktuale nuk ekzistojnë më kushtet e nevojshme për të ushtruar funksionin me siç shprehet, efektivitetin e nevojshëm.

“Andaj, kam vendosur të tërhiqem nga detyra, me bindjen se ky është vendimi më i drejtë dhe dinjitoz” – Arben Fetai, Zv.kryeministër për Qeverisë të Mirë në dorëheqje.

Pavarësisht se sot jep zyrtarisht dorëheqjen, Fetai disa muaj me radhë nuk shkonte në vendin e punës dhe as nuk merrte pjesë në seancat e qeverisë megjithëse pagat mujore i merrte rregullisht. Krisja mes VLEN-it dhe Fetait ndodhi kur ky i fundit kundërshtoi që partia të udhëhiqet nga dy kryetarë. Kështu Azir Aliu, Mimoza Musa dhe Ilir Demiri e morën primatin e ASH-së në Qeveri, duke lënë Fetain pa potencë politike. Fetai më pas kishte porositur liderët e VLEN-it, me shprehjen “Revolucioni i ha bijtë e vet”… dhe në fund ha kokën e vet”. Fetai në këtë postim shkruante se kur një lëvizje fillon të konsumojë njerëzit e saj për shkak të apetiteve të fraksioneve, ndonjëri prej tyre mund të forcohet përkohësisht, por në fund, lëvizja ha kokën e vet.

Pak kohë më parë kryeministri Mickoski zbardhi se Fetai i kishte thënë se do të kthehej në Bruksel, dhe tha se ka mundësi që të shfrytëzohet potenciali i tij për pozitën e të dërguarit special në administratën e Brukselit.

By admin7