Dy palestinezë të armatosur të premten hapën zjarr në drejtim të një pike ushtarake të kontrollit afër qytetit jugor të Bregut Perëndimor, Hebron, duke vrarë dy ushtarë izraelitë dhe duke plagosur tre të tjerë në një ballafaqim që zgjati më shumë se 20 minuta, para se ushtarët t’i vrisnin të dy sulmuesit.
Pas një hetimi preliminary, ushtria izraelite tha se beson që të armatosurit po planifikonin që të kryenin një sulm më të madh kundër civilëve izraelitë në Rrugën 35, por kuptuan se nuk do të mund të arrinin në autostradë dhe vendosën që të hapnin zjarr drejt pikës së përkohshme të kontrollit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Ata u identifikuan si Mohammad Jaaba dhe Firas Jaaba, banorë 27-vjeçarë të Hebronit. Ata ishin anëtarë të së njëjtës familje, edhe pse raporti i tyre i saktë ishte i paqartë deri në mëngjesin e vonë.
Nuk ishte gjithashtu e qartë nëse ata ishin duke vepruar vetëm apo me një rrjet më të madh. Hamasi, i cili ka prani të madhe në Hebron, e quajti sulmin “heroik”, por nuk e mori përgjegjësinë për të.
Dy sulmuesit arritën me veturë rreth orës 7:30 në mëngjes në pikën e përkohshme të kontrollit, që ishte vendosur nga ushtria në dalje të Hebronit.
Ushtarët e vendosur aty ishin duke kryer kontrolle rutinore të veturave palestineze që po dilnin nga qyteti.
Dy palestinezët dolën nga vetura në një rrugë anësore, të armatosur me një pushkë të gjatë dhe një pistoletë. Duke i shfrytëzuar ndërtesat si mburojë, ata hapën zjarr në drejtim të pikës së kontrollit, sipas hetimit fillestar.



