Çitaku e arsyeton tërheqjen e Ligjit për Specialen: Qëllimi është të hiqen të gjitha mëdyshjet

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK’së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas dërgimit të djeshëm të kërkesës zyrtare nga Grupi Parlamentar i PDK’së te presidentja Justina Shiroka-Pula për ta kthyer Ligjin për Gjykatën Speciale në Kuvend, duke thënë se ky ligj do të jetësohet.

Ajo tha se kjo kërkesë s’nënkupton tërheqje prej tij, por se kjo lëvizje do të shërbejë të hequr “çdo mëdyshje”.

“Por një gjë duhet të jetë e qartë: kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk është as tërheqje prej tij – dhe as nuk e zbehë atë. Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam. Për t’u dhënë përgjigje pikëpyetjeve të ngritura, si sponsorizues i dhamë procesit edhe katër javë kohë. Qëllimi është një dhe i vetëm: të hiqet çdo mëdyshje, të forcohet baza juridike e ligjit dhe të sigurohet zbatimi i tij në praktikë”.