Zgjedhjet në Serbi dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor: Çfarë mund të pritet pas 25 tetorit?

Shkruan: Nefail Emini

Zgjedhjet në Serbi priten me interesim të madh në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Rezultatet e disa sondazheve sugjerojnë se partia e Aleksandar Vuçiqit, SNS, mund të jetë në disavantazh përballë “Listës së Studentëve”, ndërrsa disa të tjera SNS para “Listës së Studentëve”. Kjo e bën edhe më të paqartë çështjen se kush do ta udhëheqë Serbinë pas 25 tetorit. Interesimi i madh për këtë proces zgjedhor lidhet edhe me faktin se Serbia, për rreth 12 vjet, është udhëhequr nga një lider me prirje autoritare, si Aleksandar Vuçiq. Gjatë kësaj periudhe, regjimi i tij ka ndërtuar një sistem shtypës brenda vendit, por edhe një rrjet ndikimi që ka kontribuar në krijimin e tensioneve dhe destabilitetit jashtë kufijve të Serbisë.

Kur një lider autoritar përballet me probleme të brendshme, ai shpesh përpiqet të zhvendosë vëmendjen e opinionit publik drejt armiqve të jashtëm dhe të nxisë tensione në rajon, me qëllim që të largojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet e përditshme dhe të ruajë pushtetin. Kjo prirje është vërejtur në ndërhyrjet e Beogradit në shtetet fqinje, si Kosova, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut. Nëse më 25 tetor ky regjim merr fund, kjo mund të përbëjë një lehtësim për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe të krijojë mundësi më të favorshme për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Çfarë mund të presin shqiptarët nga “Lista e Studentëve”?

“Lista e Studentëve” ende nuk është shndërruar në një parti të mirëfilltë politike dhe nuk ka një udhëheqës të vetëm, por ka arritur t’i lërë në hije partitë tradicionale opozitare në Serbi. Pikat kryesore të kësaj lëvizjeje lidhen me luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, garantimin e lirive politike dhe lirisë së shprehjes, si dhe mbrojtjen e lirisë së medias.

Megjithatë, për shqiptarët dhe për shtetet e tjera të rajonit, mbetet e rëndësishme të kuptohet se çfarë do të nënkuptonte një ndryshim i mundshëm i pushtetit në Serbi. Dobësimi ose largimi i SNS-së nga pushteti nuk nënkupton domosdoshmërisht një ndryshim të menjëhershëm të politikës së Beogradit ndaj fqinjëve të tij. Për këtë arsye, qëndrimet e “Listës së Studentëve” për çështjet rajonale dhe, veçanërisht, për Kosovën, meritojnë vëmendje të veçantë.

Kosova, qëndrimi i përbashkët i SNS-së dhe “Listës së Studentëve”

Nëse ekziston një çështje në të cilën SNS-ja e Aleksandar Vuçiqit dhe “Lista e Studentëve” nuk shfaqin dallime thelbësore, ajo është qëndrimi ndaj Kosovës. Si Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe përfaqësuesit e “Listës së Studentëve”, kanë deklaruar vazhdimisht se Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë. Të njëjtin qëndrim e pasqyron edhe “Lista e Studentëve” e cila në muajin maj të këti viti publikoi një “Memorandum për Kosovën dhe Metohinë”, duke ngjallur kujtimet e Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Artëve të Serbisë të vitit 1986, duke treguar se mendësia politike në Serbi lidhur me këtë çështje nuk ka ndryshuar.

Në këtë kuptim, nëse Vuçiq largohet nga pushteti dhe në vend të tij vjen “Lista e Studentëve”, ndryshimi mund të jetë më i dukshëm në mënyrën e qeverisjes së brendshme. Një zhvillim i tillë mund të krijojë kushte më të favorshme për paqen dhe stabilitetin në rajon. Megjithatë, sa i përket Kosovës, qëndrimet e Vuçiqit dhe të “Listës së Studentëve” nuk paraqesin dallime thelbësore. Kjo nënkupton se një ndryshim i mundshëm i pushtetit në Beograd nuk garanton, në vetvete, një ndryshim të politikës serbe ndaj Kosovës.

Çfarë mund të ndodhë pas 25 tetorit?

Duke qenë se sondazhet nuk paraqesin një fitues të qartë, situata politike në Serbi mbetet e paqartë dhe mund të bëhet edhe më e fragmentarizuar. Në këtë kontekst, mund të paraqiten dy skenarë kryesorë.

Skenari i parë është që SNS-ja e Aleksandar Vuçiqit të dalë fituese nga zgjedhjet. Në një rast të tillë, rezultati mund të kontestohet nga “Lista e Studentëve”, e cila mund të mos e pranojë atë dhe të ngrejë dyshime për manipulim të procesit zgjedhor.

Skenari i dytë është që “Lista e Studentëve” të dalë fituese. Në këtë rast, rezultati mund të kontestohet nga Vuçiqi dhe strukturat e tij politike. Një situatë e tillë mund të krijojë një spirale të rrezikshme tensionesh të brendshme, e cila mund të çojë në përballje ndërmjet dy grupimeve.

Duke pasur parasysh zhvillimet e mëparshme politike në Serbi dhe mënyrën se si Beogradi ka vepruar në raport me shtetet fqinje, ekziston rreziku që Vuçiqi të përpiqet t’i zhvendosë tensionet e brendshme drejt rajonit, duke nxitur destabilitet në vendet përreth. Ky është një nga rreziqet më të mëdha me të cilat mund të përballet Ballkani Perëndimor pas 25 tetorit.

Në përfundim, zgjedhjet në Serbi nuk përbëjnë vetëm një garë për pushtetin e brendshëm, por edhe një moment me rëndësi për të ardhmen politike dhe të sigurisë së të gjithë rajonit. Megjithatë, një ndryshim i mundshëm i qeverisjes në Beograd nuk do të nënkuptonte automatikisht ndryshim të politikës ndaj Kosovës apo përfundim të tensioneve rajonale. Për shqiptarët dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, rëndësi vendimtare do të ketë nëse ndryshimi i mundshëm politik do të shoqërohet me një qasje të re ndaj fqinjëve, respektim të sovranitetit të tyre dhe angazhim konkret për paqe e stabilitet afatgjatë.