Nënkryetari i VV-së dhe njeriu i dytë i Qeverisë Kurti, Glauk Konjufca, ka pësuar fiasko mbrëmë në përballje me përfaqësuesit e opozitës.
Debati “përballja e nënkryetarëve të partive politike”, i cili i zhvillua në emisionin Debat Plus, është fituar nga nënkryetarët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Uran Ismaili, Doarsa Kica Xhelili dhe Besnik Tahiri e kanë dërrmuar kolegun e tyre nga VV-ja, i cili nuk mund të mbrohej në asnjë temë.
Gjatë terë debati, Konjufca mundohej të ironizonte me opozitën me disa batuta, por nuk mund t`i mbronte dështimet e Qeverisë Kurti në temat që u ngritën në debat.
Analisti Visar Ymeri ka vlerësuar se performanca e dobët e nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk lidhet me aftësinë e tij për të debatuar, por me temat që u detyrua të mbrojë.
“Fakti që sot Glauk Konjufca ka dalë jashtëzakonisht keq nuk është sepse Glauku nuk di të flasë, por sepse çështjet që po i mbronte janë të pambrojtshme”, është shprehur Ymeri.
Sipas tij, Uran Ismaili dhe Doarsa Kica-Xhelili kanë qenë performuesit më të mirë në debat.
Ai ka lavdëruar edhe paraqitjen e nënkryetarit të AAK-së, Besnik Tahiri.
Sipas tij, Tahiri AAK-së pati paraqitje të mirë, veçanërisht në prezantimin e programit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Mendoj që Urani dhe Doarsa kanë qenë shumë të mirë. Besniku ka qenë i mirë në ato aspekte ku e paraqiste programin e AAK-së dhe investimet që i propozonte”, është shprehur Ymeri.
Të njëjtin mendim e ka shprehur edhe analisti Astrit Gashi.
Ai ka vlerësuar se humbësi i madh i këtij debati ka qenë nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca.
“Z.Konjufca nuk e ka fituar këtë debat, e ka humbur këtë debat. E ka humbur në pjesën më të madhe të pikave”, ka deklaruar ai.
Por, krejt ndryshe mendon analisti Sadri Ramabaja, i cili njihet si mbështetës i VV-së.
Ai ka thënë se këtë debat nuk e ka fituar askush.
“Jo, këtu nuk anë fitues asnjeri”, ka thënë ai, duke nxitur të qeshurat e analistëve tjerë.
Sipas tij, prania e katër nënkryetarëve në të njëjtin debat e bëri më të vështirë menaxhimin e diskutimit.
“Niveli i komunikimit në bindje time ka lënë shumë për të dëshiruar dhe nëse do ta notoja mezi një 6-qe do tua jepja. Ishin relativisht të padisiplinuar dhe nënkryetarë partish që të mos respektonin udhëheqësin e emisionin më dukej shumë e papërgjegjshme prandaj ky debat për mua ka lënë shumë për të dëshiruar. Madje, kur e mendoj se kush ka qenë nënkryetar i LDK-së, prej Fehmi Aganit, me ardh tek Doarsa Kica dhe nga Arsim Bajrami tek Uran Ismaili është një krahasim shumë i thellë dhe diferencë e tmerrshme. Mendoj se qytetarët do të jenë do të jenë shumë të zhgënjyer pasi më shumë ishte ‘betejë’ për pozicionim brenda partisë së vetë sesa për të shpjeguar programet e partive. Prania e katër nënkryetarëve u pa se është numër i madh dhe natyrisht se në këtë prezencë vështirë ishte edhe me drejtua debatin për shkak të pretendimeve shumë të mëdha e herë herë me një gjuhë që s’iu takonte nivelit të nënkryetarëve”, ka thënë Ramabaja.

