VLEN promovon ligjin për transformimin e kontratave në vendime pune, BDI shpreh shqetësime

VLEN-i kërkon punësim të rregullt për të angazhuarit me kontrata të përkohshme, ndërsa BDI-ja paralajmëron për rrezikun e punësimeve partiake.

Deputeti i VLEN-it, Zekirja Tahiri, ka prezantuar propozim-ligjin për transformimin e angazhimeve të përkohshme në marrëdhënie të rregullt pune, me të cilin synohet zgjidhja e statusit të punës së mijëra qytetarëve në institucionet publike.

Sipas Tahirit, propozimi parasheh që personat që i plotësojnë kushtet ligjore të kalojnë në marrëdhënie pune me afat të pacaktuar. Në këtë kategori përfshihen të angazhuarit me kontrata me afat të caktuar, kontrata në vepër, kontrata autoriale, përmes agjencive dhe forma të tjera kontraktuale.

Ai bëri të ditur se, pas hyrjes në fuqi të ligjit, institucionet do të kenë afat prej 90 ditësh për lidhjen e kontratave përkatëse ose nxjerrjen e vendimeve për punësim. Tahiri u bëri thirrje deputetëve që ta shqyrtojnë propozimin dhe të kontribuojnë në miratimin e tij.

Nga ana tjetër, BDI-ja shpreh rezerva për këtë nismë. Përfaqësuesja e saj, Dijana Toska, tha se ekziston rreziku që procesi të përdoret për punësime partiake dhe sistemimin e personave të afërt me pushtetin.

“Ne e shohim këtë si shqetësim, pasi ekziston rreziku që ky proces të përdoret vetëm për punësime partiake dhe sistemimin e njerëzve të afërt me pushtetin”, deklaroi Toska.

Ajo ngriti shqetësime edhe për atë që e cilësoi si krijim të mekanizmave për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës për punonjësit administrativë.

Kështu, propozim-ligji për transformimin e kontratave në vendime pune ka nxitur qëndrime të ndryshme mes VLEN-it dhe BDI-së, ku e para kërkon zgjidhjen e statusit të punonjësve të angazhuar përkohësisht, ndërsa e dyta paralajmëron për rrezikun e keqpërdorimit të procesit për qëllime partiake.