Njëri tallet me shqiptarët, tjetri flet sipas interesave të postit!
Njeni u thotë shqiptarëve se, nëse partitë e tyre nuk kanë kauzë, le të shkojnë te partitë maqedonase. Ndërsa tjetri, si kryetar i Kuvendit, deklaron se përkatësia etnike nuk duhet të ketë rol vendimtar në zgjedhje dhe se duhet të fitojë kandidati më i mirë.
Në parim, kush mund të jetë kundër kandidatit më të mirë? Por kur këto deklarata bëhen në një kontekst konkret politik, duhet parë edhe çfarë fshihet pas tyre.
I pari, ndoshta i revoltuar nga humbja e ndikimit politik, po u jep shqiptarëve leksione se ku duhet t’i kërkojnë alternativat e tyre politike. Ndërsa i dyti, si kryetar i Kuvendit, mban një post që varet edhe nga mbështetja e deputetëve të VMRO-DPMNE-së. Prandaj, deklaratat e tij duhen vlerësuar edhe në kontekstin e këtij realiteti politik.
Por le të zbresim te rasti konkret i Komunës së Bërvenicës, ku të dielën zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komune. Shqiptarët përbëjnë rreth 65% të popullsisë. Që nga viti 2005, komuna është udhëhequr nga kryetarë shqiptarë, deri në vitin 2021, kur përçarja e votës shqiptare ia hapi rrugën fitores së VMRO-DPMNE-së.
Dhe tani, pikërisht në këtë komunë, na thuhet se nuk duhet të ketë rëndësi përkatësia etnike, por vetëm se kush është kandidati më i mirë!
Po kush e përcakton kandidatin më të mirë? Dhe a paskan shqiptarët mungesë kandidatësh të aftë për ta udhëhequr komunën e tyre?
Askush nuk kërkon që qytetarët të votojnë verbërisht vetëm mbi baza etnike. Por është hipokrizi të përdoret parimi i kandidatit më të mirë për të relativizuar përfaqësimin politik të shqiptarëve, ndërkohë që përçarja e tyre u ka shërbyer drejtpërdrejt kundërshtarëve politikë.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për leksione se ku duhet të votojnë. Kanë nevojë për përfaqësues që mbrojnë dinjitetin, barazinë dhe interesat e tyre, pa i bërë kompromis këto vlera për hir të posteve personale.
Bashkëjetesa nuk ndërtohet duke i kërkuar shqiptarëve të heqin dorë nga përfaqësimi i tyre, por duke garantuar barazi reale mes të gjithë qytetarëve.
Të dielën, qytetarët e Bërvenicës do të vendosin. Por një gjë duhet të jetë e qartë: përçarja e shqiptarëve nuk është alternativë politike, ndërsa barazia nuk mund të jetë vetëm parullë kur na konvenon dhe të harrohet kur rrezikohen interesat tona.
Dinjiteti kombëtar, përfaqësimi i drejtë dhe përgjegjësia politike nuk janë pengesë për demokracinë. Janë kusht për të!



