Dhunë e rëndë familjare në Shkup: Kërcënoi se do t’i vriste familjarët dhe lëshoi qenin mbi ta

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka tronditur Shkupin, ku një 36-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj gruas së tij, nënës së saj dhe familjarëve të tjerë, duke i kërcënuar me vrasje.

Sipas Prokurorisë Publike të Shkupit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, kur i dyshuari fillimisht ka nisur të bërtasë dhe të kërcënojë gruan e tij dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të moshës 6 dhe 4 vjeç. Kur gruaja i kërkoi të ndalonte, ai e kapi për krahu dhe e shtyu, duke i shkaktuar lëndime.

Situata më pas u përshkallëzua. Sipas autoriteteve, 36-vjeçari filloi të shkatërronte mobiliet në shtëpi dhe goditi nënën e bashkëshortes me një shkop, duke e lënduar në këmbë dhe gjoks. Ai më pas kërcënoi se do t’i vriste të gjithë të pranishmit, përfshirë edhe fëmijët e tij.

“Në një moment ai nxori një thikë dhe vazhdoi me kërcënimet, duke shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie tek të dëmtuarit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Gruaja arriti të telefononte babanë dhe vëllain e saj për ndihmë. Mirëpo, sapo ata mbërritën në vendngjarje, i dyshuari vazhdoi t’i kërcënonte me thikë. Më pas ai lëshoi nga oborri qenin e tij të racës “Sharplaninec”, i cili sulmoi një nga familjarët, duke e kafshuar në krah dhe këmbë.

Prokuroria ka nisur procedurë penale ndaj 36-vjeçarit për veprat penale “lëndim trupor”, “rrezikim i sigurisë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Për shkak të rrezikut të arratisjes dhe mundësisë së përsëritjes së dhunës, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.

By admin