Iskra Haxhi Vasileva do ta drejtojë Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit

Prokurorja Iskra Haxhi Vasileva është zgjedhur drejtuese e re e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pasi ka marrë më së shumti vota nga kolegët e saj. Gazeta KOHA merr vesh se ajo ka një epërsi të ngushtë – 64 vota ndaj kandidatit të renditur në vendin e dytë, Trajçe Pelivanov, që ka fituar 57 vota.

Votimi u zhvillua nga ora 8 deri në orën 16, ndërsa rezultatet pritet zyrtarisht do të shpallet në një seancë publike. Zgjedhjet u mbajtën për shkak të përfundimit të mandatit të drejtuesit të deritanishëm, Islam Abazi, i cili u zgjodh në vitin 2022 dhe nuk kandidoi për një mandat të ri.
Kandidatët dhe votuesit kanë të drejtë të paraqesin kundërshtime lidhur me procedurën zgjedhore.

Në zgjedhjet e sotme, të drejtë vote kishin gjithsej 187 prokurorë publikë nga i gjithë vendi, të cilët, përmes votimit të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, zgjodhën mes pesë kandidatëve.

Sipas Ligjit për Prokurorinë Publike, të drejtë vote në zgjedhjet për drejtues të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kishin të gjithë prokurorët publikë në vend.

Përveç Haxhi Vasilevës dhe Palivanov, në garën për postin drejtues morën pjesë edhe Faton Azizi nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (14 vota), Jovan Cvetanovski nga Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit (30 vota), si dhe Lidija Raiçeviq nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit (6 vota).