LSDM akuzon se gjatë dy viteve të qeverisjes së Mickoskit dhe OBRM-PDUKM-së, bujqësia në vend është përballur me përkeqësim serioz të gjendjes.
Sipas partisë opozitare, subvencionet në sektorin e bujqësisë janë ulur me rreth 40 milionë euro. Ata theksojnë se, në vend të rritjes së mbështetjes siç ishte premtuar në opozitë, fermerët janë përballur me ulje të pagesave dhe mbështetjes financiare.
Nga LSDM deklarojnë se subvencionet për blegtorinë janë reduktuar nga 12.000 në 8.000 denarë për kokë bagëtie, ndërsa mbështetja për duhanin është ulur nga 100 në 80 denarë për klasën e parë. Sipas tyre, janë hequr edhe një sërë masash që mbështesnin fermerët e vegjël, vreshtarët dhe prodhuesit e orizit.
Partia opozitare pretendon gjithashtu se fermerët po përballen jo vetëm me ulje, por edhe me vonesa në pagesa, duke theksuar se mijëra prodhues në sektorë të ndryshëm ende nuk i kanë marrë fondet e tyre. Sipas LSDM-së, kostoja e prodhimit po rritet, ndërsa blerja nga fermerët e vegjël ka rënë me 46.2 përqind, gjë që ata e cilësojnë si tregues të rënies së prodhimit dhe tregtimit bujqësor.
Nga LSDM theksojnë se fermerët e blegtorisë po protestojnë për vonesat në subvencione dhe për uljen e çmimit të qumështit, ndërsa qumështoret, sipas tyre, kanë vazhduar me uljen e çmimeve të blerjes. Ata shtojnë se prodhuesit e drithërave po hyjnë në sezonin e korrjes pa çmime të përcaktuara blerjeje dhe pa pagesa të subvencioneve.
Më tej, LSDM pretendon se Qeveria ka anuluar thirrjet për blerjen e traktorëve, makinerive dhe pajisjeve bujqësore përmes Programit për Zhvillim Rural, duke vlerësuar se masat që për vite kanë ndihmuar modernizimin e prodhimit janë shfuqizuar ose pezulluar.
Partia opozitare përmend edhe skandale korruptive në sektor, përfshirë rastin me programin IPARD dhe, siç thonë ata, ryshfetin prej 50 mijë eurosh. Për këtë arsye, LSDM kërkon përgjegjësi politike dhe ka ngritur interpelancë për ministrin Cvetan Tripunovski, duke e cilësuar situatën në bujqësi si “katastrofike”.

