Nënkryetarja radikale e KPM-së pretendon ta mbyllë Debat Plus-in: “Temë shqyrtimi në mbledhjen e radhës”

Komisioni i Pavarur i Mediave, i dominuar nga anëtarë të përzgjedhur prej pushtetit të Vetëvendosjes, ka propozuar ndalimin e transmetimit të “Debat Plus”.

Nënkryetarja e KPM-së, Drita Morina, tha se ky propozim do të trajtohet në mbledhjen e ardhshme të institucionit.

Shënjestër është bërë emisioni i autorit Ermal Panduri për një pretendim të ngritur gjatë fushatës zgjedhore.

Pretendimi nuk ishte bërë nga autori apo panelistët, por nga një përfaqësues politik në debatin e nënkryetarëve të partive para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Një propozim kaq radikal dhe drakonik nuk është dëgjuar më parë nga një organ mbikëqyrës i mediave.

Deklarata nxiti reagime të shumta nga mediat, shoqëria civile, opinionistët dhe akterët politikë.

Visar Ymeri, panelist i rregullt në “Debat Plus”, e cilësoi të parealizueshme idenë, por dëshmi të mendësisë politike të kultivuar nga Vetëvendosje.

“Sipas mendimit tim, synimi është që kjo fjalë të futet në qarkullim dhe publiku të mësohet me të.”

Ai kujtoi rastet e mëhershme të sulmeve ndaj mediave, duke përmendur Klan Kosovën.

“Problemi është që sot duhet të diskutojmë nëse KPM-ja mund ose jo ta mbyllë një emision.”

“Kjo vetëm sepse një anëtari të një partie nuk i ka pëlqyer një fjali e thënë nga një anëtar i një partie tjetër.”

Gazetari Astrit Gashi, njëherit panelist në emision, e lexoi deklarimin e Drita Morinës edhe si të porositur nga pushteti.

Por, ai tha se mund të jetë edhe përpjekje e dikujt për t’u treguar “azgin” i pushtetit.

“Debat Plus, por asnjë emision tjetër televiziv, nuk mund të ndalet nga KPM-ja për këso arsyesh.”

“Sidoqoftë, vetë ideja që një zyrtare e KPM-së mendon ta propozojë ndaljen e një emisioni është alarmuese.”

Sipas tij, kjo shfaq një mentalitet qeverisës të rrezikshëm dhe autoritar.

Ai shtoi se ky mentalitet, fatkeqësisht, ka marrë edhe aprovimin e Kuvendit.

“Deri në fund do të luftoj për ta mbrojtur lirinë e shprehjes, e cila është fituar edhe me gjak”, shkroi Gashi.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi po ashtu ndaj deklaratës së Nënkryetares së KPM-së.

AGK-ja tha se KPM-ja nuk ka të drejtë dhe as kompetenca të dënojë media për deklarimet e të ftuarve.

Sipas AGK-së, aq më pak mund të shqiptojë masa që çojnë deri te mbyllja e një emisioni.

“Vendimet e paprecedentë me gjoba nga përbërja e re e KPM-së vërtetojnë alarmin e ngritur më herët.”

AGK-ja tha se KPM-ja është vënë tërësisht në funksion të politikave të Vetëvendosjes dhe Qeverisë.

Sipas reagimit, këto politika synojnë intimidimin e mediave dhe gazetarëve në Kosovë.

Ndaj zhvillimeve reagoi edhe Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai tha se koha kur në Kosovë mbylleshin mediat ka përfunduar.

“Ermal, sfidues je boll, por kurrë mos u ndal”, shkroi Haradinaj.

“S’ka me mujtë kush me e ndalë debatin publik e politik në Kosovë.”

“Ajo kohë ka perënduar në vitin 1999.”

By admin7