Fronti Evropian paralajmëron bllokadë! Rina Ajdari: Ligji për Përfaqësim të Drejtë është i papranueshëm

Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari, ka paralajmëruar se grupi parlamentar do të përdorë të gjitha mekanizmat e paraparë nga Rregullorja e Kuvendit për të bllokuar Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e cilësuar atë si juridikisht të paqëndrueshëm.

Në një intervistë për Alsat, Ajdari deklaroi se Fronti Evropian, krahas bllokimit të procedurës, do të dorëzojë edhe amendamente me qëllim që të argumentojë publikisht mangësitë e projektligjit dhe ndryshimet që, sipas tyre, janë të domosdoshme.

“Do ta bllokojmë ligjin me të gjitha mekanizmat që na i mundëson Rregullorja e Kuvendit. Njëkohësisht do të ndërhyjmë me amendamente për të treguar para opinionit se çfarë i nevojitet këtij ligji që të jetë i mirëfilltë dhe në përputhje me atë që proklamon Qeveria”, deklaroi Ajdari.

Ajo veçoi si problematike nenin 6 të projektligjit, i cili parasheh që deklarimi i përkatësisë etnike të jetë vullnetar, por që verifikimi i saj të mund të bëhet në bazë të emrit të individit në letërnjoftim ose dokumente të tjera zyrtare.

Sipas deputetes, një qasje e tillë është e papranueshme dhe jologjike.

“Është e pamundur që përkatësia etnike të verifikohet përmes emrit. Kjo është pothuajse e palogjikshme dhe e kemi thënë hapur në opinion”, theksoi Ajdari.

Debati për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat pritet të shoqërohet me përplasje të forta politike në Kuvend, ndërsa opozita shqiptare paralajmëron rezistencë të ashpër ndaj versionit aktual të ligjit. /Faktiditor.info/

By admin