Një sulm i dhunshëm ndaj një 14-vjeçari në Gossau të kantonit të Zyrihut ka shkaktuar shqetësim dhe frikë të madhe te prindërit dhe nxënësit në rajon.
“Jam e shokuar. Kjo më frikëson”, ka deklaruar një nënë nga Gossau për mediat zvicerane. Sipas saj, edhe djali i saj është tronditur nga ngjarja, megjithëse nuk ka ndërmend ta kufizojë lirinë e tij për shkak të incidentit.
Policia Kantonale e Zyrihut njoftoi se ka arrestuar katër të rinj të dyshuar për sulmin. Bëhet fjalë për një 16-vjeçar portugez, një 15-vjeçar zviceran, një 13-vjeçar eritreas dhe një 13-vjeçar me prejardhje nga Kosova. Gjatë kontrolleve në banesa, policia ka sekuestruar edhe armën imituese që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.
Sipas hetimeve, të dyshuarit sulmuan të premten mbrëma një 14-vjeçar gjerman, duke e goditur me grushte dhe shqelma në kokë dhe trup. Viktima raportohet se është kërcënuar gjithashtu me një armë imituese dhe me një maçetë.
Babai i 14-vjeçarit ka deklaruar se djali i tij kishte frikë nga grupi prej muajsh dhe se ishte joshur në një takim me pretekstin se donin vetëm të bisedonin. Sipas tij, sulmi lidhej me një lidhje të mëparshme sentimentale që kishte përfunduar rreth një vit më parë.
Në vend të një bisede, i riu u përball me një rrahje brutale që u filmua nga autorët. Pas sulmit, ai pësoi lëndime të shumta dhe aktualisht nuk po ndjek mësimin për shkak të traumës dhe frikës që ka përjetuar.
Ngjarja ka hapur debat të gjerë në Zvicër lidhur me dhunën mes të rinjve dhe efektivitetin e ligjit për të miturit, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.

