Nafie Selmani: Derisa të rinjtë po ikin, MEPSO po bëhet strehë për nipërit e Afrim Gashit dhe Zeqirija Ibraimit

Derisa të rinjtë shqiptarë detyrohen të dalin në rrugë për të kërkuar të drejtën elementare që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe, e shumë të tjerë mendojnë se në cilin shtet të ikin për të gjetur një të ardhme, nipërit e funksionarëve të VLEN-it po sistemohen në ndërmarrje publike me paga të majme, akuzon Nafie Selmani.

Sipas saj, në konkursin e fundit në MEPSO janë punësuar nipi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, si dhe nipi i ish-kryetarit të Alternativës dhe eksponentit të VLEN-it, Zeqirija Ibraimi.

Selmani e cilëson këtë si një “trekëndësh tribalist nepotik”, duke akuzuar funksionarët e VLEN-it se institucionet po i shohin si “çifligje familjare”.

Ajo u drejtohet të rinjve që, sipas saj, kanë punuar dhe kanë besuar në ndryshimin e premtuar nga VLEN-i.

“Rinistë të dashur, që ju kam parë me sytë e mi duke vrapuar ditë e natë për VLEN-in, duke besuar se po luftonit për ndryshim, sot juve ju thuhet: ‘Prisni edhe pak’, ‘Rrini rehat’, ‘Do të vijë radha juaj’. Ndërkohë, radha vjen vetëm për nipërit e vet, të cilët një nga një po i sistemojnë në vende pune me paga të majme”, shprehet Selmani.

By admin7