Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke e cilësuar si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e shtetit.
Kurti ka thënë se vendimi i GJND-së, i cili konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë së Kosovës.
“Duke konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, GJND-ja i dha fund një prej pretendimeve kryesore juridike kundër shtetësisë dhe mëvetësisë sonë”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë riafirmoi një parim të rëndësishëm në të drejtën ndërkombëtare.
“E drejta ndërkombëtare nuk ekziston për të ruajtur padrejtësinë apo për ta bërë historinë të pakthyeshme, por për të krijuar hapësirë që paqja, liria dhe vetëvendosja demokratike të gjejnë shprehje brenda rendit juridik ndërkombëtar”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se për Kosovën ky moment ka forcuar themelet e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
“Për Kosovën, ky ishte një moment që forcoi themelet e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Për bashkësinë ndërkombëtare, ishte një sqarim i rëndësishëm se e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklaratat e pavarësisë dhe se secili rast duhet të vlerësohet mbi faktet dhe normat që e karakterizojnë”, ka shkruar ai.
Kurti ka thënë se ruajtja e kësaj trashëgimie duhet të bëhet përmes forcimit të institucioneve demokratike, sundimit të ligjit dhe zhvillimit të vendit.
“Mbrojtja më e mirë e kësaj trashëgimie nuk është vetëm ta kujtojmë atë, por ta justifikojmë çdo ditë: me institucione demokratike, me sundim të ligjit dhe me një republikë që e forcon legjitimitetin e saj përmes punës, zhvillimit dhe përgjegjësisë”, ka theksuar Kurti.
Opinioni këshillues i GJND-së u shpall më 22 korrik 2010 nga kryetari i atëhershëm i gjykatës, profesori Hisashi Owada.



