“Hezbollahu do të çarmatoset me mjete ushtarake dhe diplomatike”, Izraeli paralajmëron: Nëse Libani nuk përmbush detyrimet…

Izraeli ka deklaruar se çarmatosja e Hezbollahut mbetet një objektiv strategjik i fushatës së tij në Liban dhe se kjo do të arrihet përmes një kombinimi të “mjeteve ushtarake dhe diplomatike”.

Deklarata është bërë nga Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili gjatë një ceremonie përkujtimore në Izrael, theksoi se operacionet mund të vijojnë nëse situata në terren nuk ndryshon.

Qëllimi strategjik është çarmatosja e Hezbollahut përmes një kombinimi të mjeteve ushtarake dhe diplomatike,” u shpreh Katz, duke shtuar se Izraeli do të reagojë ndaj çdo sulmi që vjen nga territori libanez.

Reklame

Ai paralajmëroi gjithashtu se nëse qeveria e Libanit nuk përmbush detyrimet e saj, operacionet ushtarake izraelite mund të vazhdojnë.

Këto deklarata vijnë në një moment delikat, vetëm pak ditë pas hyrjes në fuqi të një armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut, i cili megjithatë është shoqëruar me incidente të izoluara në kufi.

Ndërkohë, sipas një diplomati amerikan të cituar nga agjencia AFP, pritet që të enjten në Uashington të zhvillohen bisedime të reja të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të Libanit dhe Izraelit. Kjo vjen pas një takimi fillestar mes ambasadorëve të dy vendeve.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa ushtria izraelite ka kërkuar edhe së fundmi banorëve të disa zonave në Libanin jugor të mos kthehen në shtëpitë e tyre, duke akuzuar Hezbollahun për shkelje të armëpushimit.

Rajoni vijon të mbetet në një fazë të brishtë stabiliteti, mes diplomacisë dhe kërcënimeve për përshkallëzim ushtarak.

 

By admin5