Komuna e Çairit përmbylli me sukses edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Çarshia”, i cili nga 23 deri më 26 korrik e shndërroi Çarshinë e Vjetër të Shkupit në një skenë të artit muzikor të nivelit të lartë dhe dialogut kulturor.
Gjatë katër netëve të festivalit u realizuan 4 koncerte, ku performuan 20 solistë nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Rumania, Italia, Kosova dhe Spanja, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike AYGA e Maqedonisë. Përmes një programi të pasur dhe të larmishëm, festivali konfirmoi vlerën e tij artistike dhe kulturore. Mijëra vizitorë patën mundësinë të shijojnë koncertet dhe të bëhen pjesë e një historie të re kulturore që e pasuroi ofertën kulturore të Shkupit.
Edicioni i parë i festivalit dëshmoi edhe një herë se Çarshia e Vjetër e Shkupit është një hapësirë unike ku trashëgimia kulturore dhe arti bashkëkohor mund të krijojnë vlera të reja, si për qytetarët, ashtu edhe për turistët dhe zhvillimin e përgjithshëm të qytetit.
“Me festivalin ‘Çarshia’ dëshmuam se kur ekziston vizion dhe përkushtim, mund të krijohet një traditë e re kulturore që do të bëhet simbol i Çairit dhe i Shkupit. Synimi ynë nuk ishte të organizonim vetëm një aktivitet tjetër, por të vendosnim themelet e një festivali që do të rritet nga viti në vit, do të tërheqë artistë të njohur dhe do ta promovojë Çarshinë e Vjetër të Shkupit si një nga hapësirat më të rëndësishme kulturore dhe turistike në rajon. Falënderoj të gjithë artistët, bashkëpunëtorët, institucionet dhe vizitorët që kontribuuan që ky edicion i parë të jetë i suksesshëm dhe i denjë për t’u shndërruar në një traditë të re”, deklaroi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar në zhvillimin e kulturës si shtyllë e zhvillimit lokal, turizmit dhe promovimit ndërkombëtar të Komunës së Çairit, qytetit të Shkupit dhe të gjithë vendit.



