Arrestohet në Zveçan i dyshuari për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës

Zveçan – Policia e Kosovës ka arrestuar në Zveçan një person me inicialet I.M., i dyshuar për përfshirje në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës gjatë trazirave të 29 majit 2023.

Sipas njoftimit të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

I dyshuari po hetohet për veprat penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese” dhe “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”.

Arrestimi lidhet me ngjarjet e 29 majit 2023, kur në Zveçan shpërthyen përleshje të dhunshme pas kundërshtimit të hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale. Në përplasjet e asaj dite u plagosën 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej tyre rëndë, si dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Ngjarjet e majit 2023 shënuan një nga përshkallëzimet më serioze të tensioneve në veri të Kosovës. Pas incidenteve në Zveçan dhe sulmit të armatosur në Banjskë në shtator të të njëjtit vit, KFOR-i rriti praninë e tij ushtarake në Kosovë.

Prishtina ka akuzuar vazhdimisht struktura kriminale të lidhura me Serbinë për nxitjen dhe organizimin e dhunës, ndërsa Beogradi i ka mohuar këto akuza dhe ka fajësuar qeverinë e Albin Kurtit për përshkallëzimin e situatës.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet procedurale të nevojshme.

I.M. konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

By admin