Një ngarkesë me bagazhe që pritej të futej në hapësirën e bagazheve të një avioni të British Airways u përfshi nga flakët në aeroportin Malpensa të Milanos, ndërsa dyshimet e para janë se zjarri u shkaktua nga një pajisje me bateri litiumi brenda një valixheje.
Incidenti ndodhi të dielën, pak para nisjes së fluturimit BA585 me destinacion Londrën. Zjarri shpërtheu në kontejnerin që transportonte bagazhet drejt Airbus A321neo, ndërsa u shua nga zjarrfikësit pa shkaktuar të lënduar.
Si pasojë e incidentit, avioni u ngrit me më shumë se dy orë vonesë. Fluturimi ishte planifikuar të nisej në orën 13:45, por u realizua vetëm në orën 16:07.
Sipas informacioneve paraprake, shkaku i mundshëm i zjarrit është një pajisje me bateri litiumi që ndodhej brenda një valixheje. Hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë vijojnë.
Ekspertët e sigurisë ajrore paralajmërojnë prej muajsh për rrezikun që paraqesin pajisjet elektronike me bateri litiumi. Sipas tyre, nëse një zjarr i tillë do të shpërthente pasi bagazhet të ishin ngarkuar në hapësirën e bagazheve të avionit gjatë fluturimit, pasojat mund të ishin shumë më të rënda, pasi sistemet e mbrojtjes në këtë pjesë të avionit janë projektuar kryesisht për të frenuar përhapjen e flakëve dhe jo domosdoshmërisht për t’i shuar plotësisht ato.
Për këtë arsye, shumë kompani ajrore ndalojnë vendosjen e pajisjeve si power bank-et dhe disa bateri litiumi në bagazhet që transportohen në hapësirën e bagazheve të avionit



