Sa mund të dënohet Fatmir Sheholli për spiunazh dhe shantazh?

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh te Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) në dëmtim të interesave të shtetit të Kosovës, dhe në një rast tjetër për shantazh, raporton Klan Kosova.

Dosja prej 80 faqesh e ngarkon Shehollin me këto dy vepra penale, bazuar në veprimet e tij inkriminuese që Specialja i ka mbështetur në provat materiale.

Nëse Sheholli shpallet fajtor për spiunazh, ai mund të dënohet me jo më pak se 5 vjet burg.

“3. Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim.”

Ndërsa për veprën tjetër të shantazhit, Kodi parasheh gjobë dhe burgim deri në 10 vjet.

“2. Nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit apo kryhet me përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm ose vepra penale rezulton me dobi pasurore të kundërligjshme në shumën që tejkalon dhjetëmijë (10.000) Euro, kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet.”

By admin7