Tre fëmijë kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë dhe dy të rritur ndodhen në gjendje kritike, pas një zjarri që përfshiu një shtëpi dykatëshe në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road, ka bërë të ditur shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.
Sipas mediave amerikane, familja është me prejardhje nga Shqipëria.
Zjarri është raportuar rreth orës 05:15 të mëngjesit të së mërkurës (sipas kohës lokale në SHBA), më 26 gusht, ndërsa ekipet e zjarrfikësve kanë mbërritur brenda pak minutash dhe janë përballur me flakë të mëdha në katin e parë dhe tym në katin e dytë, ka thënë Golden, raporton media amerikane Jacksonville.
Dy të rritur kishin arritur të dilnin tashmë nga shtëpia bashkë me dy fëmijë. Zjarrfikësit kanë kontrolluar shtëpinë dhe kanë gjetur tre fëmijët e tjerë pa shenja jete. Golden nuk ka mundur të tregonte moshën e tyre.
Anëtarët e familjes që kanë mbërritur në vendngjarje kanë thënë se janë nga Shqipëria dhe se të gjithë fëmijët ishin djem.
Një fqinj i ka thënë “News4Jax” se persona që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes kanë ndihmuar të kapnin një foshnjë dhe një të rritur, të cilët kishin dalë nga një dritare e katit të dytë.
Ekipet kanë arritur ta vinin zjarrin nën kontroll deri në orën 05:40, por shtëpia është shkatërruar, ndërsa nga zjarri janë prekur edhe dy njësi banimi ngjitur, ka bërë të ditur shefi i zjarrfikësve.
Golden ka thënë se Kryqi i Kuq amerikan po ndihmon shtatë të rritur dhe gjashtë fëmijë që kanë mbetur të zhvendosur si pasojë e zjarrit.
Shkaku i zjarrit mbetet ende nën hetim.
“Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë peshën e një mëngjesi si ky”, ka thënë Departamenti i Zjarrfikësve. “Mendimet tona janë me familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur, me ata që u lënduan dhe u zhvendosën, si dhe me pjesëtarët e JFRD-së që iu përgjigjën kësaj skene shkatërruese”.



