Aktivistja suedeze Greta Thunberg iu bashkua të martën nxënësve të shkollave të mesme që po protestonin për kushte më të mira mësimore në Francë, pak para nisjes së demonstratave të reja mbarëkombëtare, ndërsa autoritetet dhe pjesëmarrësit shprehnin shqetësim për mundësinë e dhunës së mëtejshme.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 23-vjeçarja, e cila u bë e njohur që në adoleshencë përmes grevave shkollore për të kërkuar masa kundër ndryshimeve klimatike, qëndroi mes nxënësve që protestonin para një shkolle në Saint-Denis – periferia më e madhe e kryeqytetit dhe epiqendra e kësaj lëvizjeje.
Thunberg mbërriti në gjimnazin “Paul Éluard” në momentin kur avokatët, po formonin një zinxhir njerëzor për të mbrojtur adoleshentët pas akuzave të shumta për brutalitet policor.
“Të rinjtë nuk po përfshihen në diskutime. E ardhmja jonë po na vidhet”, deklaroi Thunberg për agjencinë e lajmeve AFP.
Mobilizimi, i cili mbështetet nga sindikatat dhe partia e ekstremit të majtë opozitar “France Insoumise” (Franca e Papërkulur), parashikonte një marshim në mesditë nëpër Paris, si dhe marshime të ngjashme në qytete të tjera.
“Ata nuk po na dëgjojnë, ndaj po shkojmë ne tek ata”, shkroi sindikata studentore “L’Union étudiante” në një postim në platformën X.
Më shumë se 70,000 njerëz dolën në rrugë të enjten e kaluar, në atë që ishte protesta më e madhe e një lëvizjeje të nisur në fund të shtatorit.
Nxënësit francezë shprehen të vendosur t’i bëjnë presion qeverisë që të trajtojë problemet e mungesave të shumta të mësuesve, ndërtesave të amortizuara, orareve të ngjeshura mësimore dhe shqetësimeve të tjera. /Telegrafi



