Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për presidenten e re të vendit, Justina Shiroka-Pula, duke u pyetur se cila do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballet ajo.
Haziri ka vlerësuar se ndër sfidat kryesore të presidentes do të jetë çështja e Dhomave të Specializuara, si dhe komunikimi me institucionet evropiane dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Presidentja është futur në ‘zjerm’ politik, pasi sfidën më të madhe do ta ketë në ndihmën ndaj Republikës për çështjen e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Komunikimi me Komisionin Evropian, Këshillin e Evropës dhe mekanizmat e tjerë, si dhe me partnerët tanë, nuk do të jetë i lehtë”, ka deklaruar Haziri për IndeksOnline.
Ai ka theksuar se presidentja e Republikës ka mundësinë dhe karakterin për të kontribuar në vendosjen e drejtësisë për të gjithë, duke shtuar se përvoja e deritanishme në Kosovë ka krijuar bindjen se drejtësia nuk mund të pranohet nëse arrihet përmes padrejtësisë.
“Presidentja e Republikës e ka një karakter dhe një mundësi që, në emër të gjithëve, ta shtyjë vendosjen e drejtësisë për të gjithë. Ajo që ka ndodhur deri tash në Kosovë është krijuar bindja që drejtësia përmes padrejtësisë nuk pranohet”, ka theksuar Haziri.
Ai ka lënë të kuptohet se mënyra se si presidentja e re do t’i trajtojë këto çështje do të jetë me rëndësi për përfaqësimin e Kosovës dhe për forcimin e besimit në drejtësi.



