Një zjarr i papritur ka përfshirë mëngjesin e kësaj të enjteje ambientet e Top Albania Radio në Tiranë, duke dëmtuar studiot dhe duke bërë të pamundur vazhdimin normal të transmetimeve.
Si pasojë e incidentit, është anuluar edhe transmetimi i emisionit të mëngjesit “Wake Up”, ndërsa ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e zjarrit.
Pas ngjarjes ka reaguar edhe Ledion Liço, drejtori i përgjithshëm i Top Albania Radio, i njohur për publikun edhe si moderator i Big Brother VIP Albania.
Përmes një postimi në Instagram, ai ka ndarë pamje nga ambientet e mbushura me tym, duke treguar situatën e krijuar pas incidentit.
“Një mëngjes i trishtë për Top Albania Radio dhe dëgjuesit e saj. Një zjarr i papritur ka dëmtuar studiot tona duke na bërë të pamundur transmetimet tona normale”, ka shkruar Liço.

Megjithatë, mes shqetësimit të shkaktuar nga ngjarja, ai ka dhënë edhe lajmin e mirë se të gjithë janë shëndoshë e mirë.
“Edhe pse të shokuar nga kjo fatkeqësi e papritur, jemi të gjithë mirë dhe duke punuar fort për t’iu kthyer normalitetit”, ka shtuar ai, duke falënderuar dëgjuesit për mirëkuptimin dhe dashurinë.
Për momentin nuk dihet se kur do të rifillojnë transmetimet e zakonshme, ndërsa ekipi i radios po punon për rikthimin e situatës në normalitet. /Klankosova



