Të fillojnë protestat!

Pas ofertës gjysmake të ministrit demagog Shasivari, se dy provime e studentëve shqiptarë për Jurisprudencën do jepen në maqedonisht, studentët shqiptarë kanë paralajmëruar protesta kundër qeverisë pasi kërkojnë që provimet te jepen të gjitha në gjuhën shqipe dhe jo copa-copa.

Mesa duket mosgatishmëria e qeverisë së premierit Micko për mos t’i pranuar kërkesat e studentëve shqiptarë paraqet qëndrim denigrues ndaj gjuhes shqipe me prapavijë nacionaliste.

Prandaj, subjektet tona politike të mos qëndrojnë të papërgjegjshme dhe të heshtura përballë shtypjes dhe përdhosjes së gjuhës shqipe nga kryekomiti Micko dhe kabineti i tij, ku po e trajtojnë gjuhën shqipe si gjuhë nomade, por t’u bashkohen thirrjes së studentëve shqiptarë për t’i dhënë të gjitha provimet në gjuhën shqipe si njëra nga gjuhët më të vjetra te Ballkanit.

Përdorimi i gjuhës shqipe në te gjitha provimet profesionale nuk është privilegj por e drejtë e një kombi per ta përdorur gjuhën e tij barabartë me maqedonishten.

Nëse ka barriera ligjore demagog Shasivari le të na tregoj se kush e pengon përdorimin e gjuhës shqipe kushtetuta apo ligjet?

Nëse e pengon kushtetuta të ndryshohet, pasi me lartë se kushtetuta qëndron e drejta e një kombi dhe vullneti i tij i lirë si një parim bazë i ushtrimit të së drejtës për ta ushtruar atë të drejtë dhe gjuhën e tij pa pengesa, në të kundertën, qeveria do t’i mbaje përgjegjësitë për zhvillimet e papritura që mund të ndodhin në të ardhmen.

Medai Shaholli