AAPA nis me sukses: Një iniciativë e re për avancimin profesional në arsim

Tetovë – Akademia për Avancim Profesional në Arsim (AAPA) ka realizuar me sukses modulin e parë të saj, duke shënuar fillimin e një iniciative të re për zhvillimin profesional të psikologëve dhe pedagogëve në institucionet arsimore.

Në hapjen solemne, Muhamed Jonuzi, koordinator i Akademisë, theksoi rëndësinë e një qasjeje bashkëkohore ndaj zhvillimit profesional, e cila ndërthur njohuritë shkencore me instrumentet psikologjike, metodologjitë moderne dhe zbatimin praktik në institucionet arsimore.

Sipas tij, qëllimi i AAPA-s nuk është vetëm përvetësimi i njohurive të reja, por edhe shndërrimi i tyre në kompetenca konkrete dhe standarde të qëndrueshme të praktikës profesionale.

Moduli i parë mblodhi psikologë dhe pedagogë nga shkollat fillore dhe të mesme, të cilët morën pjesë në një trajnim ndërveprues me përmbajtje të pasur psikopedagogjike.

Nën udhëheqjen e trajnuesit Qufli Osmani, pjesëmarrësit u njohën me tri fusha kryesore: inventarin për vlerësimin e klimës shkollore, teknikën e Shmidekut për njohjen dhe analizimin e karakteristikave individuale të personalitetit, si dhe shkallën e kompetencës komunikuese, e cila synon vlerësimin dhe zhvillimin e aftësive të komunikimit dhe bashkëpunimit profesional.

Trajnimi u karakterizua nga diskutime përmbajtjesore, interesim i lartë dhe pjesëmarrje aktive, duke vënë në pah rëndësinë e lidhjes së teorisë me praktikën në procesin e zhvillimit profesional.

Organizatorët falënderuan trajnuesin Qufli Osmani për profesionalizmin dhe kontributin e tij, si dhe të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe motivimin e treguar gjatë këtij moduli.

Me këtë iniciativë, AAPA synon të krijojë një hapësirë të qëndrueshme për avancimin e kompetencave profesionale dhe përmirësimin e praktikave psikopedagogjike në institucionet arsimore.