Inteligjenca e turmës. Ky është sekreti i suksesit të studenteve dhe studentëve që prej dy vitesh po punojnë për ta transformuar Serbinë. Eksperimenti demokratik, i cili të dielën u shpërblye nga shumica e popullsisë, është unik edhe sepse fitoren zgjedhore nuk e arriti asnjë parti, por një kolektiv i arsyes së përqendruar dhe i dijes së ndarë mes të gjithëve.
Fitorja e listës studentore i detyrohet veçanërisht këmbënguljes së të rinjve, të cilët për muaj të tërë investuan gjithë kohën e lirë, paratë dhe energjinë e tyre. Që në fillim ra në sy niveli i lartë i organizimit të lëvizjes. Gjithçka vendosej me votim demokratik nga baza, studentët silleshin me kujdes dhe qëndrimet radikale liheshin mënjanë përmes proceseve të gjata vendimmarrëse dhe diskutimeve. Në plan të parë qëndronin kompromisi dhe qëllimi i përbashkët, konkretisht zgjedhjet.
Të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces mësuan jo vetëm se sa e rëndësishme është Kushtetuta dhe cilat nisma ligjore mund të jenë të nevojshme. Ata hartuan së bashku propozime për reforma dhe, gjatë këtij procesi, përjetuan një eksperiment të vërtetë demokratik, të cilin nuk e kishte parë askush më parë. As në Serbi, as në të gjithë Evropën.
Lëvizja më e madhe demokratike e kontinentit, ku morën pjesë dhjetëra mijëra njerëz, nuk është aspak një manifestim revolucionarësh. Sigurisht, të rinjtë shijuan edhe memet në rrjetet sociale dhe shpikën batuta e slogane. Por, në thelb, ata vepruan me disiplinë të lartë, si një grup skautësh në një ekspeditë jashtëzakonisht sfiduese.
Unitet dhe profesionalizëm
Përsëri e përsëri, atyre iu desh të riorganizoheshin, të përcaktonin objektiva të reja dhe të përqendroheshin te thelbësorja. Ata takoheshin në asamble plenare dhe në komitete organizative, kryesisht në internet. Votohej se kush do të fliste publikisht dhe kur duhej të ndodhte kjo. Për muaj të tërë, të rinjtë e mbajtën të fshehtë listën me 250 emrat e kandidateve dhe kandidatëve të tyre. Ata u besuan profesorëve të universiteteve të tyre dhe ekspertëve të tjerë.
Dhe e dinin se regjimi do të ndërmerrte menjëherë veprime kundër të gjithëve, emrat e të cilëve do të bëheshin publikë. Prandaj, ata mësuan edhe të ruanin sekretin dhe të shfaqnin unitet përballë publikut. Edhe tani, pas zgjedhjeve, ende nuk dihet qartë se kush është parashikuar për postet ministrore. Por një plan ekziston tashmë.
Kabinet ekspertësh
E sigurt është se vendin do ta qeverisë një kabinet ekspertësh. Për studentët, përparësia tani është forcimi i prokurorive dhe krijimi i një njësie hetimore policore, e cila do të hetojë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës nga regjimi i Aleksandar Vuçiçit.
Personat që kanë lidhje me krimin e organizuar duhet të largohen. Mediet duhet të çlirohen nga kontrolli politik. Përvoja në shtetet e tjera tregon se largimi i personave të korruptuar nga drejtësia, policia dhe administrata kërkon vite, nëse respektohen standardet e shtetit të së drejtës.
Gabimet e epokës pas Millosheviçit
Të dielën e kaluar, serbët rifituan një pjesë të madhe të lirisë së tyre, por ende mbetet shumë punë për t’u bërë. Ata që kërkojnë rezultate të menjëhershme tani, nuk po i shërbejnë domosdoshmërisht këtij qëllimi. Nëse reformat nuk shkojnë në thellësi, do të ndodhë ajo që ndodhi pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000. Sistemi i Millosheviçit u rikthye nga dera e pasme përmes Vuçiçit. Dhe liria humbi sërish.
Megjithatë, duke pasur parasysh se studentët arritën t’ua përcillnin mesazhin e tyre votuesve, pavarësisht disavantazheve të mëdha mediatike — në televizion pothuajse nuk raportohej fare për ta dhe, kur raportohej, bëhej fjalë për lajme negative —, mund të priten shumë gjëra prej tyre.
Lëvizja studentore është interesante edhe sepse u testuan strategji të reja komunikimi. Një nga elementet më të suksesshme ishin marshimet. Për muaj të tërë, të rinjtë udhëtuan nga një fshat në tjetrin, nga një qytet në tjetrin, duke përshkuar të gjitha anët e Serbisë. Gjatë këtyre marshimeve, shumë prej të cilave i bënë edhe me biçikletë, ata nuk bisedonin vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me popullsinë vendase, e cila shpesh i priste të rinjtë sikur të ishin heronjtë dhe heroinat më të mëdha që kishte nxjerrë ndonjëherë Serbia.
Dhuna e regjimit kundër shpresës
Dhe ndoshta të tillë janë vërtet. Sepse për dy vjet me radhë, të rinjtë u fyejnë, u diskredituan dhe u sulmuan nga regjimi i Aleksandar Vuçiçit. Huliganët ushtruan vazhdimisht dhunë kundër lëvizjes protestuese: të rinjtë u rrahën, makina u përplasën me protestuesit, telefonat celularë u përgjuan dhe studentët u arrestuan.
Vuçiç u bë dukshëm nervoz, sepse ishte mësuar të manipulonte njerëzit. Por stili i tij agresiv nuk funksiononte më. Shumë serbë thjesht pushuan së besuari dhe së pasuri frikë prej tij. Ndërkohë, ata i morën seriozisht studentët, të cilët shkonin në fshatrat e tyre dhe i pyesnin se cilat ishin shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
Zgjedhjet në Serbi tregojnë gjithashtu se takimet e vërteta mes njerëzve mund të jenë më bindëse sesa një makineri partiake e vajisur mirë dhe e financuar me shumë para. Ky është një mesazh i mirë për të gjitha demokracitë, por edhe për njerëzit që detyrohen të jetojnë nën regjime autoritare. Shpresa e jashtëzakonshme që buron nga zgjedhjet në Serbi po përhapet shumë përtej kufijve të vendit.
Vuçiç dorëzohet
Pothuajse askush nuk priste që Vuçiç ta lëshonte pushtetin kaq shpejt. Gjatë dy viteve të fundit, ai ishte treguar imun ndaj çdo kritike dhe nuk e kuptonte se sa shumë i irritonte njerëzit me qëndrimin e tij paternalist dhe vetëlavdërimin e vazhdueshëm. Të dielën, serbët votuan kundër të ashtuquajturit atë të madh, që gjoja mund të menaxhonte gjithçka.
Në këtë kuptim, zgjedhjet ishin edhe një votë kundër një modeli autoritar, i cili është rrënjosur thellë në shoqërinë serbe. Në vend të tij, njerëzit zgjodhën ekspertë relativisht të panjohur; askush nga lista studentore nuk ishte promovuar më parë si një figurë e madhe udhëheqëse.
Asnjë parti
Eksperimenti demokratik tani vazhdon. Sepse lëvizja studentore as dëshiron, as mund të shndërrohet në parti, por synon të krijojë kushtet për një shtet demokratik të së drejtës dhe të rivendosë ndarjen e pushteteve: një drejtësi të pavarur, një polici të reformuar dhe media të lira.
Të dielën në mbrëmje, komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se këto synime të studentëve pasqyronin vlerat e BE-së. Sipas Kos, tani mund të nisë një kapitull i ri. “Dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura dhe ne jemi të gatshëm të ecim përpara së bashku”, deklaroi ajo.
Çështjet e BE-së
Në të vërtetë, edhe BE-ja mund të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet me Serbinë. Deri më tani, me politikën e saj të pajtimit dhe tolerimit ndaj Vuçiçit, Brukseli i ka zhgënjyer vazhdimisht forcat reformiste. Për këtë arsye, shumë serbë nuk kanë më besim te fuqia e tranzicionit që duhet të vijë nga Brukseli.
Megjithatë, pikërisht për shkak se programi me 11 pika i studentëve përputhet në pjesën më të madhe me propozimet e BE-së për reforma, po krijohet një dritare e favorshme mundësish për të dyja palët. BE-ja mund të tregojë më në fund sërish praninë dhe forcën e saj në Evropën Juglindore. Kjo do të ishte e përshtatshme edhe përballë politikës agresive energjetike të SHBA-së në Ballkan, nën drejtimin e presidentit Donald Trump.
Megjithatë, të gjithë partnerët e mundshëm të lëvizjes studentore duhet ta dinë një gjë: të rinjtë e Serbisë nuk lejojnë që askush t’i përvetësojë për interesat e veta. Pikërisht kundër kësaj po luftojnë ata.



