Eurodeputeti Thijs Reuten ka përshëndetur rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi, duke e cilësuar atë si një ditë të rëndësishme për vendin dhe duke shprehur shpresën se ndryshimet politike do të sjellin reforma të prekshme në institucionet shtetërore, media dhe shoqërinë civile.
Në një intervistë për televizionin N1, Reuten tha se me gëzim po i përcjellin festimet në rrugët dhe sheshet e Beogradit, si dhe shpresën që, sipas tij, shihet në sytë e qytetarëve.
“Dëshiroj ta përgëzoj popullin serb për zgjedhjen shumë të qartë dhe vendimin për ndryshime. Njerëzit jo vetëm që votuan për ndryshime, por edhe me pjesëmarrjen e lartë në zgjedhje treguan se presin vërtet diçka nga qeveria e re”, tha Reuten
Ai shtoi se pret që ky rezultat të mos shënojë vetëm një kapitull të ri për Serbinë, por të sjellë edhe ndryshime thelbësore për qytetarët, përfshirë përmirësimin e gjendjes së mediave dhe shoqërisë civile, të cilat, sipas tij, nuk duhet të jetojnë më me frikën e represionit.
Duke folur për mundësinë e një debati të ardhshëm për Serbinë në Parlamentin Evropian, Reuten tha se një diskutim i tillë do të zhvillohet në rastin e parë të mundshëm.
Ai sqaroi se raporti i Komisionit Evropian do të vlerësojë zhvillimet gjatë vitit të kaluar, ndërsa Parlamenti Evropian do të ketë mundësinë të marrë parasysh edhe zhvillimet më të fundit politike në Serbi, përfshirë formimin e mundshëm të qeverisë së re dhe programin e saj.
Reuten vlerësoi se formimi i qeverisë së re do të jetë një proces i vështirë, ndërsa sfidë tjetër do të jetë gjetja e një kandidati për zgjedhjet presidenciale.
Sipas tij, një nga detyrat kryesore do të jetë edhe marrja nën kontroll e institucioneve dhe shërbimeve shtetërore, në mënyrë që ndryshimet të reflektohen konkretisht në sistemin e drejtësisë dhe në shoqëri.
Eurodeputeti theksoi se Bashkimi Evropian dëshiron të shohë reforma që zbatohen në praktikë dhe jo vetëm që mbeten në letër.
“Reformat nuk duhet t’i bëni vetëm sepse jua kërkon BE-ja. Autoritetet e reja duhet t’i zbatojnë ato sepse besojnë se mund të sjellin ndryshime pozitive. Kur të merret ky vendim, kur reformat të përcaktohen dhe të zbatohen, BE-ja do të jetë e gatshme ta ndihmojë Serbinë në çdo hap”, deklaroi Reuten.



