Kandidati për president në Brazil, Flavio Bolsonaro, pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, është vetëshpallur udhëheqësi legjitim i Brazilit, duke pretenduar se zgjedhjet në vend u manipuluan nga Gjykata e Lartë dhe presidenti Luiz Inácio Lula da Silva.
Ky i fundit fitoi zgjedhjet me një diferencë prej më shumë se katër milionë votash.
Bolsonaro u largua nga Brazili, pavarësisht urdhrit të Gjykatës së Lartë për dorëzimin e pasaportës.
Nga Miami, ai falënderoi presidentin amerikan Donald Trump për vizat e hyrjes për të dhe familjen e tij, si dhe presidentin argjentinas Javier Milei për ndihmën në udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara.
Në një letër të publikuar në X, fillimisht ai u vetëquajt president i zgjedhur, përpara se ta ndryshonte deklaratën dhe të përdorte termin udhëheqës i Brazilit.
Ai akuzoi kundërshtarët politikë për krijimin e një regjimi tiranik, pa paraqitur prova për pretendimet e tij.
“Ky është vetëm fillimi i luftës sonë për demokraci, të drejta të njeriut dhe liri në Brazil. Dua t’u them, jo vetëm 60 milionë votuesve të mi, por edhe popullit brazilian, se unë jam udhëheqësi juaj. Kriminelët që vodhën zgjedhjet e Brazilit janë pjesë e një organizate kriminale që ka zbatuar një tirani. Për ata prej jush që dëshironin ndryshim: Unë nuk do t’ju braktis. Unë do të jem zëri dhe udhëheqja e lirë e kombit tone”, tha Bolsonaro.
Megjithatë, fitorja e Lulës është njohur nga autoritetet zgjedhore braziliane, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe liderët botërorë. Edhe partia e vetë Bolsonaros e ka njohur rezultatin.
Deklaratat e Bolsonaros krijojnë një tjetër sfidë për Uashingtonin në marrëdhëniet me Brazilin, ndërsa Lula ka akuzuar administratën amerikane për ndërhyrje në politikën e brendshme. Uashingtoni i ka mohuar këto qëndrime.



